Pasditen e së dielës, një zjarr ka shpërthyer pranë fshatit Leskovec të Prizrenit, në afërsi të Kalasë së UÇK-së. Zjarri dyshohet se është shkaktuar qëllimisht, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme të terrenit dhe duke shkaktuar dëme në natyrë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet e Zjarrfikësve, të cilat kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll, pavarësisht terrenit të thepisur dhe të vështirë për intervenim. Zjarri ende nuk është shuar plotësisht, por aktualisht nuk paraqet rrezik për shtëpitë apo vendbanimet përreth. Ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë punën për shuarjen e plotë të tij.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës, e cila po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e ndezjes së zjarrit. Zjarrfikësit kanë apeluar te qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë, veçanërisht gjatë temperaturave të larta, pasi zjarret mund të përhapen shumë shpejt dhe të shkaktojnë pasoja të mëdha./Tv Prizreni
