Një rast i rëndë i sulmit seksual ndaj një të miture është raportuar në orët e para të së dielës në Ferizaj, ku një 14-vjeçare ka kërkuar ndihmë pasi dyshohet se është prekur pa pëlqimin e saj nga një 44-vjeçar gjatë udhëtimit me veturë, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është E.B ., ndërsa personi i dyshuar është Sh.R ..
Rasti ka ndodhur më 16 gusht, pak pas mesnatës, në fshatin Bibaj të Ferizajt. Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, rreth orës , një njësi e Trafikut Rajonal që ndodhej në një pikë kontrolli është njoftuar nga një qytetar se një vajzë që gjendej te banjot e “Hib Petrol” kishte nevojë për ndihmë.
Policët kanë reaguar menjëherë dhe kanë kontaktuar me të miturën, e cila ka rrëfyer se gjatë udhëtimit me të dyshuarin, me një Volkswagen Golf të kuq, ai dyshohet se e kishte prekur pa pëlqimin e saj dhe kishte tentuar ta sulmonte seksualisht. Hetimet e para kanë zbuluar edhe rrethanat që dyshohet se i kanë paraprirë ngjarjes.
Sipas deklaratës së 14-vjeçares, Sh.R. prej disa muajsh i kishte shkruar në rrjete sociale dhe vazhdimisht i kishte kërkuar të dilte me të, por ajo nuk kishte pranuar. Natën kritike, e mitura kishte qenë te një shoqe dhe, pasi nuk kishte pasur mundësi të kthehej në shtëpi, kishte kërkuar nga i dyshuari që ta merrte dhe ta dërgonte.
Por, sipas rrëfimit të saj para hetuesve, gjatë udhëtimit 44-vjeçari i kishte kërkuar që të shkonin në hotel. Ajo kishte refuzuar, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se kishte filluar ta prekte me dorë në këmbë dhe në pjesën e kofshës, pa pëlqimin e saj.
E frikësuar nga ajo që po ndodhte, 14-vjeçarja kishte kërkuar që vetura të ndalonte te “Hib Petrol” në Bibaj, me arsyetimin se duhej të shkonte në tualet. Sapo kishte dalë nga vetura, ajo kishte kërkuar ndihmë. Një qytetar kishte reaguar dhe rasti kishte mbërritur menjëherë te Policia. Njësia policore që ka dalë në lokacion ka hasur aty edhe veturën e dyshuar dhe drejtuesin e saj.
Sh.R. është arrestuar në vend dhe më pas është shoqëruar në Stacionin Policor. E.B. është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë dhe më pas është intervistuar nga Hetimet Rajonale, në praninë e zyrtares së Qendrës për Punë Sociale. Pas përfundimit të procedurave, 14-vjeçarja është larguar me babain e saj drejt shtëpisë.
Ajo nuk ka kërkuar strehim, duke deklaruar se ndihet e sigurt pranë familjes së saj. Ndërkohë, i dyshuari është intervistuar, por ka zgjedhur të shfrytëzojë të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të Prokurorit kujdestar për të mitur, rasti është iniciuar si “Sulm seksual”, ndërsa Sh.R. është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Ferizaj.
Rasti tashmë është në duart e Hetimeve Rajonale, të cilat po vazhdojnë me veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
