Një operator varke në Svalbard të Norvegjisë është gjobitur me 50 mijë korona norvegjeze, rreth 4.5–5 mijë euro, pasi përdori borinë e anijes për të zgjuar një ari polar që po flinte në breg. Ngjarja ndodhi në Svalbard, ku personat në bord panë ariun duke pushuar në breg. Për ta parë të lëvizte, njëri prej tyre i ra qëllimisht borisë së fuqishme të anijes.
Zhurma e zgjoi ariun, i cili u tremb dhe u largua nga zona. Pas incidentit, autoritetet lokale ndërhynë dhe Guvernatori i Svalbardit vendosi gjobën. Sipas ligjit për mbrojtjen e mjedisit në Svalbard, është e ndaluar shqetësimi, ndjekja ose tërheqja e arinjve polarë. Kafshët duhet të mbahen në distancë të sigurt, në mënyrë që të mos shqetësohen apo t’u ndryshohet sjellja natyrore.
Personi përgjegjës e pranoi shkeljen dhe ra dakord të paguante gjobën. Autoritetet nuk bënë të ditur identitetin apo shtetësinë e tij. Arinjtë polarë janë specie e mbrojtur në Svalbard që prej vitit 1972, ndërsa shkeljet ndaj kafshëve të egra mund të sjellin gjoba të konsiderueshme.
