Një aheng familjar në Suharekë është shoqëruar me të shtëna me armë zjarri, ndërsa ndërhyrja e Policisë ka përfunduar me sekuestrimin e armës dhe ndalimin e një 50-vjeçari, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Avdi Elshani 50-vjeçar . Rasti ka ndodhur sot, më 16 gusht, rreth orës , në rrugën “Festari” në Suharekë.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, zyrtarët policorë po kryenin një kontroll në trafik kur kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe janë vënë menjëherë në lëvizje për të lokalizuar vendin nga vinin krismat.
Pas mbërritjes në lokacion, Policia ka kontaktuar me Elshanin, i cili gjatë bisedës ka pranuar se kishte shtënë me armën e tij gjatë një ahengu familjar – konkretisht një fejese. Bëhet fjalë për një pistoletë “Steyr M9-A1”, të kalibrit 9 mm, së bashku me një karikator. Sipas të dhënave të rastit, Elshani posedon leje për mbajtjen e armës.
Megjithatë, posedimi i lejes nuk e ka shpëtuar nga procedurat penale për përdorimin e saj. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit nga Departamenti i Përgjithshëm, ndaj 50-vjeçarit janë iniciuar rastet për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim të armës”. Me vendim të Prokurorit, Avdi Elshani është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
