Administrata e Kuvendit të Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me organizimin e seancës plenare për sot, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës u paraqitën sot në Kuvend dhe kërkuan vazhdimin e seancës konstituive. Deputetët e PDK-së i gjetën sot, , dyert e sallës së seancave plenare të mbyllura.
Administrata e Kuvendit ka sqaruar se për datën 16 gusht nuk ka pranuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance. “Për rrjedhojë, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e një seance të tillë”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Administrata thotë se mungesa e njoftimit nuk përbën vendim politik dhe nuk paraqet qëndrim ndaj iniciativave të deputetëve apo grupeve parlamentare. “Administrata ushtron kompetencat e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe procedurat përkatëse, duke ofruar mbështetje profesionale dhe të barabartë për të gjithë deputetët.
Me komunikimin zyrtar për mbajtjen e një seance, Administrata e Kuvendit do të ndërmarrë veprimet përkatëse dhe do të sigurojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike në kuadër të kompetencave të saj”- thuhet në njoftim.
