Edon Murataj po shfaqet si një nga protagonistët e padiskutueshëm të fazës përgatitore të Vllaznisë. Fantazisti që aktivizohet edhe në krah ka treguar një formë të shkëlqyer që prej fillimit të përgatitjeve, duke qenë i pranishëm vazhdimisht në aksionet e rrezikshme të kuqebluve.
Pasimet vendimtare dhe golat e shënuar thuajse në çdo takim e kanë kthyer në një nga lojtarët më të spikatur të kësaj periudhe. Futbollisti me pasaportë belge duket se e ka gjetur ritmin në momentin e duhur. Murataj jo vetëm që po bind me paraqitjet e tij, por po tregon edhe një vazhdimësi që i jep optimizëm stafit teknik për startin e kampionatit.
Shpejtësia, lëvizjet pa top dhe aftësia për të hyrë në zonë e bëjnë atë një element që mund të jetë shumë i rëndësishëm në repartin ofensiv të Vllaznisë. Forma e mirë e tij ka bërë që numri një i pankinës, Edi Martini, ta provojë edhe në një pozicion disi më të avancuar.
Në seancat stërvitore, Murataj është parë shpesh pranë sulmuesve, duke formuar një dyshe fillimisht me Bekim Balajn, por edhe me Perez. Një variant që tregon se tekniku shkodran po kërkon më shumë alternativa për fazën sulmuese. Duket se Martini ka një plan në mendje edhe për startin e kampionatit.
Nëse Perez apo Tunkara nuk do të jenë ende në formën e tyre optimale, Murataj mund të jetë një zgjidhje konkrete për të luajtur në krah të Balajt në një dyshe sulmuese. Kështu, një lojtar që deri tani është identifikuar më shumë si fantazist krahu, mund të marrë një rol edhe më ofensiv. Me kampionatin që po afron, Murataj po i dërgon sinjalet e duhura stafit teknik.
Gola, asiste dhe një formë fizike që duket në nivele të mira: një kombinim që e vendos belgun mes lojtarëve që mund të kenë një rol të rëndësishëm në Vllazninë e sezonit të ri.
