Në moshën 15-vjeçare u bë refer, Arlindi synon majat në pingpong

0%

Arlind Lamaxhema e ka nisur rrugëtimin si refer i pingpongut në një moshë kur shumica e bashkëmoshatarëve të tij sapo kanë filluar të merren seriozisht me sportin. Sot, në moshën 21-vjeçare, ai tashmë ka përvojë në gara ndërkombëtare dhe synon të ngjitet në nivelet më të larta të referimit.

Duke folur për KosovaPress, Lamaxhema tregon se gjithçka nisi kur ishte vetëm 15 vjeç, fillimisht si lojtar, ndërsa më pas, me idenë e babait të tij, vendosi të provojë veten si refer. Lamaxhema: Në moshën 15-vjeçare kam filluar të merrem si refer “Po si refer, po të tregoi drejtë, në moshën 15-vjeçare kam filluar. Edhe ku e kam kaluar testin 100%, testin kombëtar.

Edhe aty fillova me u marrë si refer e jo si lojtar. Po gjithçka ka filluar si lojtar, por nga ideja e babait tim, Ardian Lamaxhema, i cili po ashtu është trajneri im në ekip. Ai dha si ide për me ndoshta me provuar si refer. Edhe kështu filloi gjithçka”, ka treguar Lamaxhema.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për të, kalimi nga roli i lojtarit në atë të referit ishte një përvojë krejtësisht tjetër, pasi përgjegjësia dhe presioni në fushë ndryshojnë. Fillimet, megjithatë, nuk kanë qenë të lehta. Lamaxhema tregon se si 15-vjeçar i është dashur të referojë edhe persona më të mëdhenj në moshë.

Lamaxhema: Kam referuar persona më të mëdhenj në moshë, në fillim kishte pak frikë “Është ndjenjë që si fëmijë më ka ndodhur, që i kam referuar ndoshta persona më të mëdhenj në moshë timen normalisht, edhe një ndjenjë pak si fillim frikë, po me kalimin e kohës është bërë një ndjenjë normale e cila ka vazhduar me qenë një ndjenjë e cila ende më krijon kënaqësi kur referoj”, ka thënë Lamaxhema.

Gjatë këtyre viteve, ai ka referuar në gara të ndryshme në Kosovë, ndërsa së fundmi ka pasur mundësinë ta përfaqësojë vendin në një garë evropiane në Portugali, në kuadër të Youth Championship. Lamaxhema rrëfen edhe për një nga ndeshjet më të vështira që ka referuar në këtë turne, e cila shkoi deri në setin e fundit.

Për të, puna e referit kërkon përkushtim, njohje të rregullave dhe reagim të shpejtë, pasi çdo vendim mund të jetë vendimtar për lojtarët. Lamaxhema: Çdo gjest i një referi, çdo send monitorohet “Po është pozicioni i trupit, duhet me e pasur trupin drejt. Çdo gjest i një referi, çdo çdo send monitorohet.

Monitorohet nga ata persona të cilët ty në fund ta japin një notë edhe ajo normalisht ajo notë varet nga sjelljet e tua edhe nga profesionalizmi yt që e tregon në lojë. Mundet me qenë lojë e lehtë, mundet me qenë lojë e rëndë, nuk ka rëndësi” , ka theksuar Lamaxhema. Puna dhe paraqitjet e tij kanë bërë që ai të marrë vlerësime edhe në arenën ndërkombëtare.

Në Portugali, Lamaxhema thotë se ka pasur mundësi të punojë përkrah një prej referëve më të mirë në botë, Mircea Steff, i cili është i pajisur me rangun më të lartë të referimit, Gold Badge.

Lamaxhema: Në Portugali e kam përfaqësuar më së pari shtetin tim “Në Portugali e arrita këtë po mendoj këtë mision, e kam përfaqësuar më së pari shtetin tim, e kam përfaqësuar një nga referat më të fortë të botës që është me rangun Gold Badge. Ky rang është rangu më i lartë i referimit. Për me arritur këtë rang duhet punë e madhe edhe eksperiencë tepër e madhe”, ka thënë ai.

Pas kësaj eksperience, Lamaxhema ka vazhduar kontratën për garat e Youth Championship dhe vitin e ardhshëm pritet të jetë pjesë e garës në Kroaci. Përveç pingpongut, 21-vjeçari ka edhe një tjetër pasion të madh pianon, të cilën e cilëson si pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Ai tash e katër vjet merret me piano, ndërsa synimi i tij kryesor profesional është muzika.

Lamaxhema: Pianoja dhe sporti janë një kombinim perfekt për mua “Pianoja është jeta ime. Jeta ime, po pa sport nuk ka jetë. E këto të dyja bashkë janë një kombinim për mua që janë një kombinim perfekt. Normalisht pianon. Është profesioni im i cili kam me vazhduar deri në fund”, ka thënë Lamaxhema. Në fund, mesazhi i tij për të rinjtë është i qartë të merren me sport dhe të jenë aktivë.

Në të ardhmen, Lamaxhema synon që krahas karrierës si pianist të arrijë edhe nivelin më të lartë të mundshëm në referim.

Burimi: Bota Sot