Cancelo i dërgon sinjale Barcelonës, por Al-Hilal kërkon më shumë para

0%

João Cancelo vazhdon të shpresojë për një rikthim te Barcelona, pavarësisht se negociatat mes klubit katalanas dhe Al-Hilal janë komplikuar më shumë sesa pritej. Mbrojtësi portugez dëshiron ta vazhdojë karrierën nën drejtimin e Hansi Flick, pas periudhës së kaluar më herët në “Camp Nou”, ndërsa Barcelona ka nisur prej kohësh kontaktet për ta rikthyer në skuadër.

Fillimisht, gjithçka dukej se po shkonte drejt një marrëveshjeje me vlerë rreth 10 milionë euro, por kushtet më pas ndryshuan. Sipas gazetës saudite Al-Yaum, Al-Hilal tani kërkon rreth 15 milionë euro për ta lejuar portugezin të largohet. Kjo kërkesë e re ka ngadalësuar negociatat, edhe pse dëshira e lojtarit duket e qartë.

Sipas “Sport”, Cancelo nuk e ka harruar Barcelonën dhe vazhdon t’i dërgojë sinjale klubit katalanas përmes rrjeteve sociale. Sinjali më i fundit erdhi të shtunën, kur Cancelo publikoi në Instagram një fotografi bardhezi nga periudha e tij me fanellën e Barcelonës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në sfond të postimit ai kishte zgjedhur këngën “Jovens Milionários”, një detaj që u interpretua menjëherë si një tjetër mesazh drejt klubit katalanas. Dhe kjo nuk ishte hera e parë. Vetëm disa ditë më parë, Cancelo kishte publikuar një tjetër fotografi me fanellën e Barcelonës, ndërsa të premten ndau sërish në Instagram Stories një imazh nga koha e tij me klubin spanjoll.

Gjithçka tregon se Cancelo dëshiron të rikthehet në Barcelonë dhe ta vazhdojë karrierën atje sezonin e ardhshëm. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet marrëveshja financiare me Al-Hilal.

Nëse klubi saudit nuk e ul kërkesën prej rreth 15 milionë eurosh, Barcelona do të duhet të vendosë nëse është e gatshme të rrisë ofertën për një lojtar që vetë po e bën të qartë publikisht se ëndrra e tij mbetet rikthimi në “Camp Nou”.

Burimi: Bota Sot