Banorët e lagjes ‘Iliria’ në Gjilan paralajmërojnë EcoHigjienën pas

0%

Qytetarë të lagjes ‘Iliria’ (Kamnik) në Gjilan janë ankuar për rrjedhjen e mbetjeve të lëngshme nga kamionët e ndërmarrjes publike “EcoHigjiena”, e cila bën grumbullimin e mbeturinave në qytet. Së fundmi banorët e lagjes ‘Iliria’ (Kamnik) kanë paralajmëruar se, nëse rrjedhjet përsëriten, nuk do ta lejojnë hyrjen e kamionit në lagjen e tyre.

Banorët thonë se rrjedhja e lëngjeve nga kamioni po ndodh në rrugë dhe hapësira të frekuentuara edhe nga fëmijët, duke shkaktuar kundërmim dhe duke krijuar, sipas tyre, kushte të papranueshme higjienike. Përmes një njoftimi të publikuar më , ata kanë kërkuar që “EcoHigjiena” ta zgjidhë menjëherë problemin.

“E paralajmërojmë publikisht EcoHigjienën që, nëse ky problem nuk zgjidhet menjëherë, nga java e ardhshme banorët e lagjes nuk do ta lejojnë hyrjen e këtij kamioni në lagjen tonë” – thuhet në njoftim. Banorët kanë kërkuar zëvendësimin e kamionit me një automjet që, sipas tyre, i plotëson kushtet e nevojshme teknike dhe higjienike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Kërkesa jonë është e qartë: ndërrimi urgjent i kamionit dhe përdorimi i një mjeti që i plotëson kushtet teknike dhe higjienike për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave” – kanë kërkuar ata.

Për këtë problem, banorët i janë drejtuar edhe drejtorit të Shërbimeve Publike në Gjilan, Kushtrim Ibrahimi, dhe kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, nga të cilët kanë kërkuar marrjen e masave ndaj ndërmarrjes. “Lagjja jonë nuk është vend për të derdhur mbetje nëpër rrugë. Fëmijët dhe banorët tanë meritojnë një ambient të pastër dhe të sigurt” – thuhet në reagimin e tyre.

Komuna thotë se ka njoftuar Inspekcionin KALLXO.com ka biseduar me drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Ibrahimi, i cili ka thënë se janë në dijeni për problemin dhe se për këtë është njoftuar Drejtoria e Inspekcionit. “Po, e kemi parë edhe ne si shqetësim ditëve të fundit dhe kemi lajmëruar Drejtorinë e Inspekcionit për të ndërmarrë masa ndaj kompanisë.

Është ndërmarrje publike ajo, ne nuk jemi kompetentë për këtë çështje si Drejtori e Shërbimeve Publike” – ka deklaruar Ibrahimi për KALLXO.com. Ai ka thënë se kanë biseduar edhe me drejtorin e “EcoHigjienës”, Senad Ramaj, dhe se nga ndërmarrja u është thënë se rrjedhjet janë shkaktuar nga probleme teknike në disa prej mjeteve. “Gjithashtu kemi biseduar edhe me drejtorin e EcoHigjienës, z.

Senad Ramaj, i cili ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të disa problemeve teknike në disa prej mjeteve. Ne jemi munduar pastaj të bashkëpunojmë me ndërmarrjen ‘Tregu’, për të pastruar vendet ku ka pasur më shumë telashe” – ka thënë Ibrahimi.

EcoHigjiena: Kamionët janë të rinj, problemet shtohen gjatë verës Drejtori i ndërmarrjes publike “EcoHigjiena”, Senad Ramaj, ka thënë për KALLXO.com se kamionët janë të rinj dhe se, sipas tij, nuk ka nevojë për ndërrimin e tyre.

Ramaj ka deklaruar se mekanizmat e kamionëve janë dëmtuar në disa raste për shkak të presionit të madh në gypa, sasisë së mbetjeve të lëngshme dhe temperaturave të larta gjatë verës. “Gjatë verës kemi defekte më të shpeshta për shkak se rritet edhe numri i klientëve nga ardhja e bashkatdhetarëve dhe rritet sasia e mbeturinave.

Gypat janë nën presion të vazhdueshëm dhe mund të ketë prishje” – ka thënë Ramaj. Sipas tij, kamionët kanë një hapësirë të posaçme ku grumbullohen lëngjet që krijohen gjatë ngjeshjes së mbeturinave, por kjo hapësirë në raste të caktuara mund të tejmbushet. “Kamionët kanë një pjesë ku mblidhet i gjithë uji pas shtypjes së mbeturinave, por ndonjëherë ai stërmbushet dhe rrjedh” – ka thënë ai.

Ramaj ka pretenduar se lëngu që shihet duke rrjedhur nga kamionët nuk është vaj industrial, por krijohet kryesisht nga mbetjet ushqimore, veçanërisht nga pemët gjatë sezonit të verës. “Qytetarët duhet ta dinë se lëngu që rrjedh nuk është vaj industrial, por vetëm mbetje të lëngshme të ushqimit, sidomos të frutave gjatë stinës së verës.

Bizneset kanë qarkullim më të madh, pemtaritë janë të stërmbushura, blejnë me sasi të madhe dhe koha e transportit të këtyre frutave nuk është e shkurtër” – ka thënë Ramaj. Ai ka thënë gjithashtu se në Kosovë nuk ka kompani të autorizuar për servisimin e këtyre kamionëve, pasi, sipas tij, për një veprimtari të tillë kërkohen licenca dhe plotësimi i një sërë kushtesh.

Ramaj: Bizneset me shumë mbeturina mund të kërkojnë kontejnerë të veçantë Një problem tjetër, sipas drejtorit të “EcoHigjienës”, paraqesin mbeturinat që bizneset i hedhin në kontejnerët kolektivë.

Ramaj ka thënë se ndërmarrja ka pajisur vazhdimisht biznese me kontejnerë të veçantë industrialë, por se disa biznese më të vogla, përfshirë markete dhe pemëtari, nuk kanë hapësirë për vendosjen e tyre. Sipas tij, këto biznese i hedhin mbeturinat në kontejnerët kolektivë, çka e rrit sasinë e mbeturinave dhe e vështirëson procesin e grumbullimit.

Ramaj ka bërë të ditur se bizneset që prodhojnë sasi të mëdha të mbeturinave mund t’i drejtohen “EcoHigjienës” me kërkesë për t’u pajisur me kontejnerë të veçantë. Ndërkohë, banorët e Lagjes Iliria kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme, duke paralajmëruar se nuk do ta lejojnë hyrjen e kamionit në lagje nëse rrjedhja e mbetjeve përsëritet.

Burimi: Kallxo