170 milionë euro jane përfitimet e bankave komerciale dhe fondacioneve tjera mikrofinanciare, të cilat që nga paslufta erdhën në Kosovë për t’i ndihmuar (zhvatur) popullit të Kosovës. Kjo është anomalia më e madhe që i ka ndodhur sistemit bankar në Republikën e Kosovës, e për të cilat lëshime, dështime e keqpërdorime nuk është përgjigjur askush.
Mjerisht, Kosova e dalë pas luftës, e dëmtuar ekonomikisht, me 200 mijë shtëpi të djegura nga Serbia, kishte nevojë jetike për të marrë kredi për të siguruar kulmin mbi kokë dhe për të krijuar një bazë elementare për ta vazhduar jetën e re.
Këtë situatë e shfrytëzuan dhe e keqpërdorën bankat komerciale, të cilat me shpejtësi u vendosën në Republikën e Kosovës për të përfituar sa më shumë me kamata të larta, duke e shfrytëzuar fatkeqësinë e popullit që nuk kishte rrugëdalje tjetër përpos për të marrë kredi.
Këto banka, përpos që arritën të pasurohen në mënyra më abuzive, duke krijuar kapital nga një shtet i varfër, siç ishte Kosova, i shkelën normat dhe kodin e etikës për t’u pasuruar sa më shumë nga kamatat më të larta, jashtë standardeve të sistemit bankar të Bashkimit Evropian.
Mjerisht, këtë situatë e shfrytëzuan edhe një numër i administratorëve dhe zyrtarëve Shqiptarë, të cilët u punësuan në këto institucione bankare e mikrofinanciare, të cilët morën pozita dhe rroga të majme, duke punuar vetëm për interesin e tyre.
Këta zyrtarë Shqiptarë, përpos që arritën të pasurohen përmes kësaj politike (të fajdeve) nga djersa e qytetarëve, këta e shfrytëzuan në mënyrë përfide emrin e Shtetit të Kosovës, duke hapur vende të reja pune në sektorët e ndryshme bankare për t’i punësuar familjarët dhe farefisin e tyre katërcipërisht përmes konfliktit të interesit.
Mjerisht, këtë gjendje në sistemin bankar të Kosovës nuk e përcolli banka qendrore kombëtare, duke lënë anash pavarësinë e bankave komerciale, të cilat ishin instaluar pas luftës në Kosovë, e të cilat përfituan me qindra miliona euro përmes kamatave të larta, në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Kjo situatë e krijuar në sistemin bankar, që moti është ndjerë nevoja që institucionet kompetente, përgjegjëse të Ministrisë së Financave dhe të bankës qendrore kombëtare, të hetojnë dhe monitorojnë të gjitha këto lëshime, keqpërdorime e deformime që janë bërë me vite e vite në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Duhet theksuar se bankat komerciale, të cilat po e zhvatin paranë e qytetarëve të Kosovës, tani, pasi kanë arritur të pasurohen dhe të përfitojnë financa brenda një viti, i kanë reduktuar edhe pikat e shërbimeve administrative bankare nëpër komunat e Kosovës, duke i lënë qytetarët me shumë vështirësi për t’i realizuar nevojat dhe shërbimet e tyre.
Në këtë drejtim, primatin e burokracisë i prinë Pro Credit Bank dhe Raiffeisen Bank, të cilat kanë arritur përfitime dhe kapitalë marramendës pas luftës në Kosovë.
Është koha e fundit që organet kompetente të Republikës së Kosovës, Qeveria, Ministria e Financave, ta formojë një komision special të natyrës profesionale, financiare e bankare, duke dalë me raport para Qeverisë, Parlamentit dhe qytetarëve të Kosovës për të gjeturat, lëshimet dhe keqpërdorimet që kanë ndodhur në sistemin bankar të këtyre bankave komerciale, të cilat asnjëherë nuk kanë raportuar në mënyrë transparente për punën e tyre, për gjendjen financiare dhe për shërbimet për qytetarët, për çka janë themeluar.
Në fund, po theksojmë se organet kompetente të bankës qendrore, e cila asnjëherë nuk e ka kryer punën e saj që e obligon ligji, sa më parë të bëjnë analizën profesionale për stafin e punësuar, për pozitat e njerëzve të caktuar, për klanet familjare e farefisnore që punojnë pa i dhënë llogari qytetarëve të Kosovës.
Nuk ka dilemë se një numër i menaxherve dhe zyrtarëve që punojn nëpër këto banka janë të lidhur ngushtë në konflikt të interesit me mafinë biznesore të ndërtimit dhe të veprimtarive tjera duke i priveligjuar kompanitë e caktuara dhe pronarët e tyre permes kredive dhe formave tjera e duke i refuzuar e lënë anash një numër të qytetarëve të varfër të cilët kanë pasur nevojë për ti realizuar të drejtat e tyre që ja u garanton rregullorja dhe ligji i sistemit bankar të bankës qendrore të Kosovës.
Padyshim përgjegjësi kanë edhe ish drejtorët dhe individë të caktuar që ishin në krye të bankës qendrore të Kosovës që nga pas lufta. Andaj sistemi bankarë në Kosovë pas lufte më shumë ishte sistem i fajdeve dhe i interesave finanaciare se sa një sistem i mirëfillt ligjorë normë kjo që e kanë shtetet e bashkimit Evropian.
