Opozita refuzon takimin konsultativ me Haxhiun: “Ejani në Kuvend, mos

0%

Dy partitë opozitare, PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takimin konsultativ të së martës, ku ishte paraparë të diskutohej për zgjidhjen e ngërçit institucional dhe zgjedhjen e një presidenti konsensual.

PDK e ka cilësuar ftesën si “manipulim politik”, ndërsa Aleanca ka akuzuar Vetëvendosjen për zvarritje të qëllimshme të krizës institucionale. Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, tha se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu. Sipas tij, zgjidhja duhet të kërkohet në Kuvend dhe jo përmes takimeve konsultative.

“Kjo është edhe një tentativë e manipulimit të Kurtit me shtyrjen e afateve kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Haxhiu më mirë kishte me qenë me i shkrua letër Avni Deharit, sepse çdo pushtet në Kosovë bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe Kuvendi është i suspenduar. Si mundesh me ushtru mandate edhe me dërgu letra dhe nuk ia dërgon letrën Avni Deharit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Prandaj, ky është manipulim i radhës dhe PDK nuk do të jetë në atë takim. Po ju themi: ejani në Kuvend, mos ikni” , tha Ismaili. Ai bëri të ditur se grupi parlamentar i PDK-së i ka kërkuar sërish kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës më 16 gusht. “Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë.

Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës. Por, në të njëjtën kohë, Kosova nuk mund të mbetet peng i Albin Kurtit pafundësisht. Nuk do të pranojmë, nuk do ta normalizojmë një sjellje të tillë dhe nuk do ta lejojmë” , deklaroi Ismaili.

Edhe Aleanca ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e së martës. Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka akuzuar Vetëvendosjen se po e zvarrit krizën institucionale me synimin që zgjedhjet e reja të mbahen në një datë që i konvenon kësaj partie. “Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet.

Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi” , ka shkruar Gjini. Ai ka thënë se nëse Vetëvendosja kërkon votat dhe kuorumin e Aleancës, duhet t’i pranojë gjashtë kërkesat e saj.

Kërkesat e Aleancës janë: pranimi i gazit amerikan, ndërtimi i kapaciteteve energjetike, përfundimi i infrastrukturës kryesore, ngritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lirimi i bujqve nga tatimi në pronë dhe investimet në kryeqytet. Pas refuzimit të PDK-së dhe Aleancës, ka reaguar kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.

Ai ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje ndërmjet partive politike, duke paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një dakordim paraprak mund ta përshkallëzojë situatën. “Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë” , ka thënë Dehari.

Ftesa e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, erdhi pasi LDK-ja deklaroi se heq dorë nga partneriteti potencial për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe bëri thirrje për kandidatura konsensuale për president. Ndërkohë, një javë më parë ka përfunduar afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Legjislaturës së 11-të.

Deputetët kanë dhënë betimin, por procesi ka mbetur i bllokuar te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka arsyetuar refuzimin për propozimin e kryetarit të Kuvendit me mungesën e një marrëveshjeje për presidentin.

Ai ka paralajmëruar se, pa një marrëveshje politike, mund të konsumohet edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Kriza institucionale vazhdon të mbetet e pazgjidhur, ndërsa partitë politike deri më tani nuk kanë arritur marrëveshje për zhbllokimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Burimi: Bota Sot