E patëm kaluar tunelin me natë, kështu që mëngjesi na zuri në udhë, diku përskaj liqenit ku shtrihej qyteti verior. Nata qe sosur, ndërsa yjet puthnin agimin e mëngjesi muer jetë me një yll. Mjegulla e ftohtë e kufizonte pamjen sikur të paralajmëronte hyrjen e vjeshtës. Ne kishim bërë afro një orë udhë pa e thënë asnjë fjalë.
Ulur në sediljen e parë të autoveturës, pse ishte më i moshuari ndër ne, Muharremi kushedi ku e kishte hedhur mendimin e ç’bluante me vete. Si rrallë herë tjetër heshtte e nuk thoshte asnjë fjalë. Për mua që isha ulur pas tij, atë mëngjes, mjegulla pikonte njëfarë trishtimi.
Mendimet m’u tallazitën e ndër mend solla copën e udhës nga hyrja e pallatit e deri në rrugën kryesore ku priste makina. Fillimin e atij udhëtimi të asaj dite një mace e zezë e kishte nisur duke më prerë udhën e mjaullitur. Udhëtimi natën s’i ka pasur kujt grat, më kishte thënë një natë më parë gjyshja rreth të nëntëdhjetave, kur i kisha thënë se do të nisesha herët për udhë.
Pastaj e kishte marrë gjoksin e gjelit të shihte fatin. E ndër këto mendime ajri sa vinte e merrte ngjyrën e mërzisë. Në anën tjetër të makinës prapa shoferit, që ishte djali i Muharremit, rrinte operatori që për atë ditë do të ishte në funksionin e këtij të fundit.
Edhe ai heshtte e nuk mburrej për asgjë siç bënte zakonisht, ani se nën harqet e vetullave s’e fshihte lumturinë për misionin e madh të asaj dite.
Rasti e kishte sjellë që unë të ndodhesha me punë ndër ato anë, e duke dashur ta shfrytëzoja atë rast po rrugëtoja me makinën e tyre; veç kësaj marrëdhëniet e mia me Muharremin ishin mjaft të mira, dhe pse nuk i përkisnim as një moshe e as një profesoini. Pasioni për profesionin dhe punën e tij më kishte bërë të afrohesha jo pak me të.
Kur mjegulla shpërndahej honeve e pamja zgjerohej, kisha vënë re se dhe qielli ishte i vrugët. Makina ecte përskaj lumit valëbardhë, e tek tuk ndonjë tjetër e ndiqte, ose këmbehej me të edhe pse ajo ishte rruga me më shumë lëvizje e vendit.
Gjithsesi ishte herët. – S’e mora vesh pse u nisëm kaq herët, pyeta unë, pa e adresuar për askënd pyetjen time, ani nëse do të kishte apo jo një përgjigje. – Të kam folur për librin e profesor Hasanit, – nisi të flasë Muharremi apo jo? – Për cilin, – pyeta unë, – për librin me poezi, apo për librin?… – Jo për librin me poezi, por për librin për heroin e madh Murat Çeli,- ma priti Muharremi. – Po e kam lexuar, – thashë menjëherë, – bile e kam atë libër, po pastaj? – Çfarë pastaj, – vijoi Muharremi, që në fakt ishte një burrë i matur e rrallë i rrëshqiste fjala, por këtë herë sikur kishte një krenari të fshehur në muzg, – ai, pra, është një hero i shquar.
E në atë libër shkruhet se ai u var nga serbët në një plep të madh, ku e lanë të varur tri ditë e tri netë. Aty afër mullirit të vjetër, ku gjendet plepi ku është varë ai, ka dhe një lapidar të ngritur nga populli, që unë dua ta filmoj e ta publikoj… – Pra do të kemi edhe ne një hero, prej shtëpisë sonë, për ne, për fisin tonë, për katundin; për zonën; për trevën; për gjithë Shqipërinë, apo jo, iu drejtua operatorit si t’i merrte miratimin edhe atij.
Pastaj do t’ia gjejmë dhe varrin e tij do t’i marrim eshtrat e atje ku do t’i rivarrosim do t’i ngremë edhe një monument edhe në vendlindjen tonë. – Nëse ai është një hero i Kosovës e ka dhënë jetën për të, atëhere pse të mos prehet aty ku ka rënë?
Pastaj seriozisht, pse doni që t’ia lëvizni kockat? – Po njerëzve tanë të mëdhenj ua kanë marrë eshtrat që nga Vjena e Budapesti, nga Stambolli, Amerika e Franca dhe ua kanë sjellë në Shqipëri, atëhere, edhe ne, pse të mos ia marrim dhe atij e t’i vemë aty ku duhet. Pastaj të njihet edhe atje në shullain tonë. Të shohim në ç’motiv i është gdhendur emri i tij gjithë lavdi.
Zëri i Muharremit ishte bërë autoritar e i pakundërshtueshëm, aq më tepër po t’i shtoje këtu dhe fuqinë e thinjave të bardha. Në pasqyrën e përparme të makinës pashë harqet e vetullave të tij të kreshpëruara, që fliste gjithë seriozitet e të them të drejtën fillova të ndjej edhe më tepër respekt për të.
Ndoshta kishte zbuluar vërtet një hero të madh, pasi ai thoshte se kishte biseduar vetë me autorin e librit, që i kishte thënë se është njëri ndër zbulimet e fundit që vlerësohet e nderohet si heroi i heronjve.
Më vinte keq që nuk kisha asnjë informacion tjetër, veç të atij libri e ndoshta prej fjalorit të mangët e kisha lexuar shpejt, e nuk mund të sillja në mendje detaje rreth këtij heroi. Aq më tepër më vinte keq për padijen time rreth një njeriu kaq të shquar. – E pashë në ëndërr babain, vijoi ligjërimin e tij Muharremi. M’u duk më i lodhur, më i plakur, mbushur plot dhembshuri.
Ndoshta sjellja e eshtrave të tij e bën të ndjehet e të prehet më i qetë. Pastaj fëmijët e mi do të kenë me se të krenohen. Prej njerëzve të mëdhenj thonë se dhe dheu merr frymë. E kaluam doganën që ndante Shqipërinë me Kosovën e sërish u hap biseda e Muratit hero që ne prisnim ta zbulonim. Shihnim njërën pas tjetrës tabelat derisa e gjetëm katundin ku do të zbulonim heroin tonë të ri.
E gjetëm katundin të heshtur sikur në të të kishte rënë nata. Vjeshta mbi fusha zverdhte. E pazakontë pamja e gjetheve të rëna.Tek tuk ndër ara harlisej jonxha e njomë. Dielli ra përskithi e hodhi rreze të argjenda brigjeve të përroit të vjetër, ku në njërin breg gjendej një mulli i shembur. Por ne nuk e morëm vesh, e nuk e dinim se aty kishte qenë varur heroi ynë.
Kështu që makina jonë e vijoi udhën deri te një bokërrimë e gërryer vetmie. Pak më përtej saj, te një stan mbi një bregore, paskesh qenë vendi ku kishte jetuar heroi ynë.
Përballë makinës që rrëshqiste ngadalë nëpër udhën gjarpëruese, vinte një plak. – Ndal, – thashë unë dhe dola nga makina që ta pyesja për vendin ku gjendej lapidari i heroit. – A je burrë, e pyeta. – A je si je, – m’u përgjigj plaku. – A e din vallë se ku gjendet lapidari i Murat Çelit. Tjetrit sakaq vetullat iu ngrysën si një muzg me re.
Në tërthoren e shikimit të tij fshihej një lloj habie dhe dyshimi, hezitimi dhe frike. Heshti disa çaste e pastaj duke më vështruar drejt e në kokërr të syrit m’u drejtua: – A je mirë nga ment e kresë, o mik, apo ke pa ndonjë andër të keqe e je pikur këtu i panjohur? Muharremi kishte dalë prej makine e ishte afruar pranë nesh, duke na e prerë në mes bisedën me plakun.
Pasi ishte pyet me të se si ishte e si i kishte, me një zë të përmallshëm e kishte pyetur për kushëririn hero. – Në anët tona në vjeshtë vijnë shirat, zogjtë ikin. Toka jonë, që po ta shtrydhësh gjak do të pikojë, nuk i ka heronjtë gjithfarë dore, mor lum zotnia. Ti po më pyet për këtë farë heroi e për përmendoren e tij, por unë nuk po mundem me t’u përgjigj ty.
Unë këtu pak më poshtë e kam shtëpinë e nëse ju dëshironi, ejani e pini nga një kafe. – Jo, jo, – këmbënguli Muharremi e duket se gjuha i vajti prapë aty ku dhembte dhëmballa, kështu që ai u kthye prapë te pyetja për monumentin e të kushëririt.
Kishte dalë i gatshëm të mbante të ndizte kamerën dhe operatori, që të nesërmen do të hapte faqen e parë të gazetës me zbulimin e heroit të ri. – A më ndien, or mik, po më vjen keq, se ose unë nuk po di me të shpjegue, ose ti nuk po din me më kuptue mue, – ju drejtue ai Muharremit. – Unë kam dëgjue për atë njeri që ti po më pyet; por për tjetër njeri e kam njohur, dhe kam dëgjuar tjetërsoj prej asaj që ju po më thoni!
Unë e di mirë vendin se ku e kanë varur, ju atë vend e keni kaluar, e unë mund t’iu dërgoj bash tek ai vend. Për lapidar e monument unë kurrë nuk kam dëgjuar, sidoqoftë ju nuk jeni shumë larg.
Ktheni vetëm një kilometër mbrapsht e bash aty e keni mullinin e vjetër që tashmë është shëmbur por plepat rreth tij janë. – Ne ta dimë për nder të madh, – tha Muharremi, – ti na trego mullirin po monumentin e gjejmë vetë.
Sipër mullirit ku janë plepat, gjendet një arë e në fundin e arës në cepin e djathtë të saj, ngrihet monumenti. – Unë nuk po di- tha plaku, – ju po më dukeni me shkollë e ndoshta po e gjeni, po unë kurrë nuk kam parë aty monument. Ani, unë po vij me ju e po ua tregoj mullirin e vjetër, plepin ku është varë, arën përmbi mulli, po pyesim edhe dikë tjetër, – vijoi plaku. Me ne erdhi edhe ai.
Makina jonë u kthye afro një kilometër mbrapsht e u afruam pranë një are me jonxhë, të cilën e ndante prej mullirit udha e katundit, ku kishte kaluar më parë makina jonë. – Ndalni, – tha plaku. E ne ndalëm, dolëm gjithë vrull e fokusuam aparatet. – Or Alban, a po vjen edhe ti nja pesë minuta, – i thirri plaku dikujt në oborrin e vilës në krye të arës me jonxhë.
Prej vilave filluan të dalin njëri pas tjetrit burrat e u bamë disa veta aty në fundin e arës me jonxhë. Muharremi gjithë mburrje tregoi historinë e tij dhe shkakun e vajtjes sonë deri atje. – Dëgjoni, o burra, – ia nisi ai, – ne ju kuptojmë juve se doni me e pas këtu mes jush, atë njeri të madh, por ai është gjaku ynë e ne duam t’i marrim vetëm eshtrat, monumenti le të jetë i juaj.
Ai për ju dha jetën, për atdheun. – Dëgjo, or dashamir, e nderpreu plaku. Tek ai plep vrareje, pa i dhanë as pikën e ujit për ta pi e kanë varë, – dhe bëri me dorë nga njëri prej plepave përpara mullirit të shembur.
Të gjithë plepat e tjerë ishin ndryshe, jo pse ky kishte njerën prej degëve të tij të mëdha të thyer, por edhe pse ai ishte i vetmi plep pa çerdhe zogjsh, edhe pse ai ishte më i plakur e nëpër shtat sikur e ruan gulçimën e tij të fundit. Ishte i vetmi plep mbushur gjithë myshk. Gjysma e tij zhveshur lakuriq. Atij edhe tash i rënkojnë degët.
Prej majës së degës së shëndoshë këputen gjethet e tij e bijen në përrua. Të tjerët vinin pas tij e mua m’u përhinë si murgj shtegtarë. – Në atë degë të thatë e ka pritur vdekjen!… Pastaj heshti disa çaste siç heshtnin edhe të gjithë burrat e tjerë. Prej xhepit nxori eshkë e unur. – Tri ditë e tri netë e kanë lënë të varur, – vijoi ai.
Qysh atëhere prej atij plepi ikën zogjtë, çerdhet i dogji juda. Atë fundvjeshte kur e varën në atë plep, zogjtë ikën skajeve idhshëm. Pas bjeshkëve dielli fshihej, shi nuk binte, por ai nuk dilte që ta shihte gjamën. Askush nuk shkonte ta zbriste e ta varroste. Bjeshkët në gjunjë ranë, e fjala muer dhenë.
Silueta e tij do ta presë për shumë kohë horizontin thanë pleqtë dhe vendosën ta zbresin. Nën hijen e një plepi e varrosën një mbrëmje vjeshte, e ai plep thonë se ka qenë këtu, dhe bëri me dorë diku në cepin e djathtë të arës me jonxhë. Këtej kurrë nuk ka pasur monument për të, veç në e paçi fjalën për atë mullar jonxhe dhe bëri me dorë nga ai. – Ai është monomenti i tij, or lum zotnia!
Unë nuk di ma gjatë,as se kush e vari e as se pse e varën, por kisha me t’u drejtue ty, – iu kthye Muharremit me një ton pak të rreptë: – Ti the se je kushërini i afërt i tij. Po pse nuk e ke pyet bacë Abdylin se pse ai iku prej katundit tuaj e erdhi e u vendos atje, tek ai stan mbi atë bregore pas atij përroi nën mal?
Katundi ynë e la në hesapin e tij edhe pse në fillim e mirëpriti se nuk e njihte, po kur e njohën, atje paskësh qenë vendi ku jetonte heroi juaj. Njeriu për njeriun, or lum miku, është si një qen i zbutun, që të ha vjedhurazi pas shpine…
E pra njaj bacë Abdyli që na qenka edhe axha juaj, e njëkohësisht edhe kushëriri i atij Muratit tuaj hero, u zu fort ngushtë kur katundi juaj jo vetëm e përzuni, por i dogji dhe kullën se na paskësh përdhunue një femën!? Burrat filluan të largohen njëri pas tetrit, e pasi largoheshin vetëm pak metra pa na përshëndetur, ecnin më shpejt. Fjalët e kishin humbur fuqinë e tyre.
Vështrimi i rreptë i Muharremit dukej se gjurmonte të cingëriste inatin e tij zemrak. – Po me gërmu poshtë atij monumenti… varri, – tha Muharremi, që duket se e kishte humbur disi qetësinë dhe vemendjen, dhe bëri me dorë nga mullari i jonxhës, – a gjenden eshtrat e tij? – Or lum zotnia, ai është mullar jonxhe e jo…ashtu si po thoni ju!
Ti ban si të dish, tash unë po shkoj, a se sheh se kanë ikë të gjithë bashkëfshatarët e mi. Na e dha dorën ftohtë e u largua. Unë u turra drejt makinës, por Muharremi nuk po lëvizte. Kishte ngulur vështrimin mbi mullarin e jonxhës, sikur shihte motivin e piedestalit të munguar ku duhet të ishte gdhendur emri i tij “gjithë lavdi”. – Muharrem, i thirra – hajde e ikim sa nuk është vonë.
Kokrrat e shiut ia nisën me u përplas nëpër gurë. U fut në makinë e morëm udhën të ktheheshim, ashtu siç e kishim nisur ditën në heshtje, pa folur gjatë. Fjalët e plakut kacavirren nëpër të gjitha mendimet e mia e nuk ikin, si një bredharak në kujtesën time, me buzëqeshjen e ftohtë si brymë.
Ishte ditë vjeshte, me kohë të zverdhur, kur ne e morëm udhën e madhe për të gjetur një hero, që deri më tani nuk e njihte njeri. Pemët përgatiteshin t’i rezistonin dimrit të zhveshura vetëm në skelete. Sa shumë gjethe të verdha si shpirtra të braktisur. Njoh një njeri lakuriq, që shëtit nëpër botë, kisha lexuar diku. Vallë lakuriq shëtiste dhe shpirti i tij atyre bjeshkëve?
Natën rri pa gjumë, nuk fle? Ka ftohtë ndër driza ku bie të flerë? Ndër shpella flenë vetëm gjarpërinjtë. Vdekja një copë akulli është. Ditën nuk del, nuk duket, fshihet, nuk do që ta shohin, ka frikë mos e ri…vrasin. Del kur dielli don të shkojë bjeshkëve e nuk ka njerëz. – Në atë degë të thatë e ka pritur vdekjen si një qen, – m’u ba se foli plaku.
Ti ke shkuar përtej harrimit, m’u bë se i thashë. Ne erdhëm për të të ringjallur në rrënjët e zemrës së prishur të këtyre banorëve fisnikë. Ndër votrat e tyre ti shalon në të keqen e së shkuarës. S’të ka mbetur më asgjë, krejt çka ke është qielli mbi krye.
Ndoshta do të kishim heshtur edhe më gjatë, po të mos kishim dëgjuar një angullimë qensh. – Më është ndryshkur shpirti si ai parmaku i dyerve të vjetra, – nisi të flasë Muharremi me një zë guri, ndërsa më vete thoshte: “As hijen tënde s’e dua, mos u kthe.
S’të përzunë kot bashkëfshatarët e mi urtakë atëherë.” Ishte vonë kur mbërritëm në shtëpi, por im bir nuk kishte fjetur akoma. – Sa mirë bëre që erdhe baba, se dua të më ndimosh për një ese, – më tha ai sapo hyra brenda. – Përse, – pyeta unë. Një ese për një hero të njohur. Lodhja më ishte ulur në vetull. Dola në dritare dhe vështrimin e hodha mbi plisin e bardhë të Munellës.
Mbi të hëna kishte hedhur mantelin e argjendë. – Babi a do të më ndihmosh për esenë, se e kam detyrë për neser? – Fli biri im, nesër e ke gati! – dhe me vete mërmërita: -O zot, sa mirë që nuk kemi një të afërm hero si Murati, që monumentin e ka një mullar bari!
