LDK qëndron në opozitë, Maraj: Vendim i mençur, por LDK duhet të

0%

Të enjten, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tyre ka hequr dorë nga kërkesa për president apo marrëveshje politike për udhëheqje të institucioneve me Vetëvendosjen. Abdixhiku në një konferencë për media deklaroi se LDK-ja do të ofrojë bashkëpunimin e saj për të zgjedhur një president jopartiak.

Vendimin që të heqin dorë nga kërkesat, Abdixhiku e ka lidhur si nevojë për shmangien e krizës, gjersa ka thënë se oferta e Vetëvendosjes për LDK-në ka qenë që kjo parti “të bëhet dekor”. Sipas tij, VV-ja ia ka ofruar tri ministri LDK-së, duke i kërkuar postet tjera për vete. “LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri.

Le t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit”, ka thënë Abdixhiku. “Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për LDK-në si partnere s’do ta ketë as si dekor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në rrethana të tilla, do të qëndrojmë në opozitë, ku qytetarët na kanë vendosur dhe do të ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, LDK-ja s’do ta shndërrojë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”. Ai ka thënë se LDK-ja ka kritere për presidentin e ardhshëm.

“LVV-ja le ta formojë qeverinë me 61 deputetët e saj. Le ta ketë gjithë ekzekutivin. LDK-ja s’do t’i marrë pushtetin që ajo dëshiron ta mbajë, por as s’do ta ndajë përgjegjësinë për një pushtet ku nuk lejohet të ketë rol të denjë. Nga ky moment, zgjedhja është e qartë. LVV-ja mund ta zgjedhë stabilitetin institucional përmes një presidenti që e zgjedhim të gjithë bashkërisht, ne dhe ata.

Dhe të qeverisë me shumicën e vet, ose ta çojë vendin drejt një krize shumë më të rëndë, përplasje më të rëndë, vetëm se nuk pranon as kufirin më të vogël të kompromisit demokratik”, ka shtuar ai. Analisti politik Milazim Maraj, thotë se heqja dorë e LDK-së është vendim i mençur. Sipas tij, me këtë vendim ajo tregoi se jep nga partia për shtetin e Kosovës.

Analisti politik Milazim Maraj “Kryetari i LDK Lumir Abdixhiku pas disa negociatave të pasuksesshme pas kërkesës së Albin Kurtit ka deklarua se heq dorë nga çdo kërkesë për të qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës. LDK deklaron se do të mbetët në opozitë dhe këtë aktivitet nga opozita do ta bëjë në të mirë të vendit.

Oferta e Kryetarit të LVV Albin Kurtit që iu ofrua LDK ishte mjaftë nënçmuese aq sa edhe prezantimi i rezultatit . LDK më këtë numër të deputetëve që ka nuk do të kishte ndonjë ndikim në udhëheqjen e shtetit të Kosovës. Madje që kryetari i LDK më këtë rezultat mjaftë e ka pozitën e zëvendësit të Kryeministrit. Heqja dorë e LDK është vendim i mençur.

Më këtë u tregua se jep nga partia për shtetin e Kosovës. Aty ku nuk të lejohet të japësh kontributin tënd nuk ke pse qëndron. Duhet të kërkosh pozitën tënde nga e cila mund të japësh kontributin që u është premtuar votuesve gjatë zgjedhjeve; pra kjo pozitë është qëndrimi në opozitë” , deklaron Maraj për “Bota sot”.

Qëndrimi në opozitë i LDK-së, sipas Marajt, është më i favorshëm se pozita në qeveri. Mbetet të shihet nëse heqja dorë nga kërkesat do të forcojnë apo dobësojnë LDK-së, thotë Maraj, duke shtuar se veprimet skandaloze nuk e nderojnë. “ Njëkohësisht LDK nuk ka asnjë arsye të ndaj gabimet e LVV kur nuk është në pozitë për të kontribuar dhe ndryshuar ndonjë gjë në të mirë të Kosovës.

Andaj qëndrimi në opozitë do të ishte më i favorshëm se pozita që i ofrohet në qeveri. Se a mund të forcoj apo dobësoj ky veprim LDK, në raport me elektoratin e saj, varet nga konsolidimi i partisë pas zgjedhjeve në parti dhe korrigjimi i lëshimeve të bëra ndaj anëtarësisë se vet dhe angazhimit konstruktiv në luftimin e centralizmit në politikën e Kosovës.

Çdo parti ka imazhin e vet të formuar gjatë aktivitetit të sajë politik. Veprimet skandaloze nuk e nderojnë LDK. Hudhja e vezëve, e lotsjellësit dhe format tjera të vrazhda nuk e nderojnë LDK. Andaj edhe të jetë më çdo kusht në frontin e opozitës nuk është e detyruar dhe as nuk ndikon në konsolidimin e partisë.

Heqja dorë nga çdo post në qeveri është kulturë politike, është vendim i mirë, kur nuk pajtohesh hap rrugë. Ngase kjo ofertë ishte e qartë se LVV, synon të gjitha. Pra (Vet Vendosje) këtu nuk ka bashkëqeverisje. Kurse LDK nuk kishte pse të qëndroj aty për të bërë dekor demokratik”, pohon Maraj.

Ai e sheh LDK-në si parti që do ta dërgojë Kosovën në unitet, duke përfunduar se ajo duhet ta kthejë riparimin e strukturave të veta të shkatërruara nga Isa Mustafa dhe vasalë të tjerë. “Ky vendim mund të shpjegohet si qartësi politike apo si humbje e ndikimit në elektorat. Mbase ka elemente nga të dyja.

Por nëse ky dush i ftohet ndikon në freskimin e LDK do të ishte mirë jo vetëm për partinë por edhe për vendin. Unitetin në vend që është një prej faktorëve të domosdoshëm LVV e ka dëmtuar në masë të madhe, e as dy partitë tjera opozitare nuk kanë mundësi ta rikthejnë. Nga se i pengon e kaluara e tyre. Këtë e bënë vetëm LDK më filozofinë e urtë dhe shkencore të Dr. Ibrahim Rugovës.

Pa këtë unitet Kosova do të vazhdoj drejt degradimit, përçarjes, në të te gjitha, format e mundshme sikur edhe po ndodhë. Përçarjet që dikur dukeshin të harruara tani janë në skenë: Përçarje në mes të, feve, gjinive, moshave, ndaj mërgatës( quhen këta të jashtmit), përçarje në mes partive, fyerje e sharje dhe bashkim me grupe antishqiptare të Serbisë, Rusisë, Turqisë, Iranit etj, etj.

Në çdo rast kur degradohet pozicioni i Kosovës, brenda dhe jashtë LDK nëse vihet kundër do të merr pikë pozitive. LDK duhet të kthehet riparimit të strukturave të veta të shkatërruara nga I.M dhe vasal të tjerë. Të filloj nga baza mbledhjen e mendimeve intelektuale, të i përpunoj ato dhe të vihet në shërbim të realizimit të tyre.

Heqja dorë nga postet që i ofrohen nga kryetari i LVV arsyetohet më rindërtimin e partisë dhe jo me pranimin e pozitave çfarë të u ofrohet”, përfundon analisti. Kujtojmë, se LDK-ja ishte partia e vetme që negocioi me Vetëvendosjen. Dy partitë tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca refuzuan takimet me kryetarin e VV-së, Albin Kurti.

Partia e Abdixhikut i ka siguruar 18 ulëse në Kuvend, pasi sërish doli parti e tretë, por në bisedimet me VV-në ajo kërkoi “balancë pushtetesh” duke kërkuar postin e presidentit dhe kjo gjë sipas partisë fituese ishte një “diskrepancë e madhe” me rezultatin zgjedhor të 7 qershorit.

Burimi: Bota Sot