Irani drejt kolapsit ekonomik, inflacioni pritet të arrijë në 69 për

0%

Kriza ekonomike në Iran po thellohet me shpejtësi, ndërsa inflacioni, rënia e fuqisë blerëse dhe pasojat e luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin po detyrojnë miliona qytetarë të heqin dorë edhe nga produktet më bazike. Çdo javë, listat e blerjeve të iranianëve po bëhen më të shkurtra, ndërsa çmimet e ushqimeve, ilaçeve dhe shërbimeve vazhdojnë të rriten.

Një grua nga Teherani, e cila foli në kushte anonimiteti për Radion Farda, tha se familjet po heqin gradualisht nga tryeza frutat, produktet e qumështit dhe çdo gjë që nuk konsiderohet domosdoshmëri. “Në fund, gjithçka që blejmë janë vetëm gjërat e domosdoshme, por edhe ato nuk janë të përballueshme”, ka deklaruar ajo.

Ekonomia iraniane ishte dobësuar prej vitesh nga sanksionet ndërkombëtare dhe keqmenaxhimi, por lufta pesëmujore me SHBA-në dhe Izraelin ka përkeqësuar ndjeshëm situatën. Fushata e bombardimeve ka dëmtuar infrastrukturën dhe sektorë të rëndësishëm industrialë, ndërsa papunësia dhe çmimet janë rritur ndjeshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vetëm brenda një jave, sipas një banoreje të Teheranit, çmimi i një kilogrami patate u rrit nga 540 mijë në 720 mijë rialë, ndërsa një pako me 30 vezë nga 4 milionë në 5.7 milionë rialë. Çmimi i bukës në kryeqytetin iranian ndërkohë raportohet se është dyfishuar krahasuar me një vit më parë.

Në Iran, paga minimale mujore është rreth 100 dollarë, ndërsa sipas mediave vendase një familje mesatare prej katër anëtarësh shpenzon tashmë rreth 70 për qind të të ardhurave vetëm për ushqimet bazë. Situata është rënduar edhe nga masat ekonomike të SHBA-së.

Uashingtoni ka vendosur sanksione të reja dhe ka përdorur bllokadën detare për të goditur eksportet iraniane të naftës dhe qasjen e Teheranit në valutë të huaj. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, inflacioni në Iran mund të arrijë rreth 69 për qind gjatë këtij viti , niveli më i lartë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Analistja ekonomike Masoumeh Taherkhani ka paralajmëruar se ekonomia iraniane mund të hyjë në një periudhë stagflacioni të rëndë dhe madje të afrohet me hiperinflacionin. Sipas saj, lufta dhe bllokada detare e kanë zhytur vendin në një krizë edhe më të thellë, ndërsa brenda më pak se një viti ekonomia mund t’i afrohet një kolapsi të rëndë.

Pasojat më të mëdha po i ndjejnë qytetarët e zakonshëm, të cilët përballen me mungesa, çmime gjithnjë e më të larta dhe humbje të vazhdueshme të vlerës së kursimeve. “Njerëzit janë të përqendruar te mbijetesa e ditës së sotme, sepse askush nuk e di se sa më e shtrenjtë do të jetë e nesërmja”, ka thënë një banore e Teheranit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com