Autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë nisur procedurë penale ndaj shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni, të cilit i janë caktuar 30 ditë paraburgim nën dyshimet për përfshirje në krime lufte gjatë vitit 1999.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) më , e cila njoftoi se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi ka ndërmarrë veprime diplomatike lidhur me rastin.
Sipas MPJD-së, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi është njoftuar për rastin, ndërsa ministria ka dërguar edhe notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi. Këto veprime, sipas ministrisë, janë ndërmarrë me qëllim të sigurimit të angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së Maxhunit.
“Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse, do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Maxhuni. Vizita pritet të realizohet gjatë javës në vijim”- thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Më , ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia ka arrestuar një person nën dyshime për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë më 1999. I arrestuari, ndaj të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, është identifikuar me inicialet D.M., 47 vjeç. Sipas Daçiqit, ai është arrestuar në pikën kufitare të Batrovcit.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”- tha Daçiq përmes një njoftimi.
Ndonëse Daçiq e identifikoi të arrestuarin vetëm me iniciale, një ditë para tij, më , avokati nga Kosova, Arianit Koci, njoftoi se autoritetet serbe kishin ndaluar Dukagjin Maxhunin nga Beci i Gjakovës, i moshës 47-vjeçare.
Sipas tij, ai u ndalua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, dhe pas disa orësh verifikim, familjarët janë njoftuar se ai është transferuar në Beograd dhe se procedurat ndaj tij ishin duke vazhduar Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99.
Në Kosovë, po ashtu, viteve të fundit janë arrestuar dhjetëra serbë nën dyshime për krime lufte në Kosovë dhe disa raste kanë përfunduar me aktgjykime dënuese. Ky është arrestimi i dytë gjatë gushtit që Serbia bën për krime të pretenduara të luftës në Kosovë. Më , një burrë u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë. Bëhej fjalë për Mentor Mustafën, 44 vjeç nga Novobërda.
Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
