Nga Lugina deri në kufi, digjet mali shkrumb e hi, pylli bëhet tym e flakë, mbetet fshati pa oxhak. Pyet njeriu me shqetësim: – Mos na qenka korrigjim?! Apo ndonjë plan i ri, për të mbetur pa kufi?! Çfarë fitimi, o shqiptarë, kur shkon pylli me hektarë? Dje na digjej vetëm mali, sot po digjet edhe morali!
Zhduken pyjet shekullore, shuhen gjurmët kulturore, e mbi shpatet, gur më gur, mbetet veç tymi si flamur. Kur zjarri zbret nga mali, s’pyet fare ku mbet ideali; prek shtyllën elektrike, dhe na fik dritën publike! S’ka rrymë nëpër fshatra, ikin gjallesat me të katra, por ka drita nëpër pallate, del “problemi” në debate! Me kthim t’malit në lëndinë, mos bashkohemi me Luginë?!
Pse atëherë të digjet mali? Të shkojë për lesh dhe ideali?! Flet urtia, me zë ndihet: -Shtëpia digjet, kurva krihet! E te ne, për fat të keq… qenka “krehri” privilegj!
