Një incident me armë zjarri ka ndodhur të premten në fshatin Greme të Ferizajt, ku një grua 66-vjeçare ka pësuar lëndime në këmbë pasi një i ri dyshohet se ka shtënë me pushkë në afërsi të saj, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Ali Hashani, rreth 23-vjeçar, ndërsa viktima S.H., rreth 66-vjeçare.
Rasti ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës , në rrugën “Shabi Hashani”, ndërsa Policia është vënë në dijeni pasi Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj ka njoftuar se një person po merrte trajtim mjekësor. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima ka deklaruar se ishte duke ecur rrugës kur papritur kishte dëgjuar një krismë.
Ajo ka thënë se kishte parë fqinjin e saj, Ali Hashanin, duke shtënë me pushkë dhe se nga e shtëna kishte pësuar lëndime të lehta në këmbë. Pas identifikimit të të dyshuarit, hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, në koordinim me Prokurorin kujdestar, në shtëpinë e tij kanë sekuestruar një pushkë dhe një fishek.
Arma dyshohet se është përdorur në incident. 23-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj dhe është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës. Sipas deklaratës së tij, ai e kishte marrë pushkën pa pëlqimin e babait, kishte dalë në një fushë pranë malit dhe kishte shtënë një herë në drejtim të tokës.
Ai ka deklaruar se nuk kishte parë persona në afërsi dhe se nuk kishte llogaritur që dikush mund të ndodhej aty. Pushka e sekuestruar rezulton të jetë pronë e babait të të dyshuarit, i cili, sipas të dhënave të rastit, posedon leje për armën.
Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”. Pas intervistimit, Ali Hashani është liruar në procedurë të rregullt. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
