Të shtëna me armë janë raportuar mbrëmjen e së premtes pranë një lokali në Rrugën e Pejës në Fushë Kosovë, ndërsa personi i dyshuar fillimisht është larguar nga vendi i ngjarjes me veturë dhe më pas është vetëdorëzuar në Polici, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Ramadan Brahimi, rreth 24-vjeçar.
Rasti ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës , ndërsa Policia është njoftuar pak minuta më vonë se pranë një lokali në Rrugën e Pejës kishte pasur të shtëna me armë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por personi i dyshuar tashmë ishte larguar me një Audi ngjyrë hiri, në drejtim të Komoranit.
Policia ka verifikuar targat e automjetit dhe ka arritur të identifikojë pronarin. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas kontaktimit nga Policia, Brahimi ka pranuar se kishte shtënë me armë. 24-vjeçari më pas është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Drenas, ku ka dorëzuar edhe armën që dyshohet se ishte përdorur – një pistoletë “BLOW-F92”, së bashku me një karikator dhe dy fishekë me gaz të kalibrit 9 mm.
Arma është sekuestruar, ndërsa Brahimi është shoqëruar në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Përgjithshëm, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
