Një person i kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë është ekstraduar nga Kroacia dhe është arrestuar menjëherë pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Shendrit Buja, rreth 34-vjeçar, nga Lipjani.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Buja ka mbërritur nga Kroacia rreth orës 00:50të së shtunës, 15 gusht, në kuadër të procedurës së ekstradimit. Pas aterrimit në Aeroportin “Adem Jashari”, autoritetet policore janë njoftuar për mbërritjen e tij dhe 34-vjeçari është marrë nga patrulla policore dhe është shoqëruar në stacion për procedurat e mëtejshme.
Për realizimin e urdhëresës është njoftuar edhe gjyqtarja kompetente, ndërsa është urdhëruar që Buja të dërgohet në Qendrën e Ndalimit për 48 orë. Procedurat e mëtejshme ndaj tij pritet të vazhdojnë gjatë ditës së sotme. Në informacionin fillestar të siguruar nga Sinjali nuk specifikohet vepra penale apo çështja për të cilën ishte lëshuar urdhëresa ndaj tij.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
