Zemërim te tifozët e Real Madridit

0%

Real Madridi publikoi në fund të muajit korrik kodin e ri disiplinor, duke ashpërsuar ndëshkimet ndaj anëtarëve të klubit që rishesin abonimet sezonale apo biletat e ndeshjeve pa autorizimin dhe mbikëqyrjen e klubit. Klubi i konsideron shkelje jashtëzakonisht të rënda rastet e rishitjes së paautorizuar të biletave.

Masat ndëshkuese mund të shkojnë deri në heqjen përfundimtare të anëtarësisë për këdo që vërtetohet se ka shitur bileta në kundërshtim me rregullat. Megjithatë, sipas gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, polemikat që ka shkaktuar rregullorja e re nuk lidhen kryesisht me masat kundër rishitjes së biletave.

Kritikat janë përqendruar te disa nene që i japin klubit të drejtën të ndëshkojë anëtarët dhe mbajtësit e abonimeve edhe për deklaratat apo opinionet e tyre në jetën private, përfshirë postimet në rrjetet sociale. Dy pika të rregullores kanë shkaktuar veçanërisht reagime.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Neni 9, pika 7, e konsideron shkelje të rëndë “mungesën e respektit ndaj përfaqësuesve të klubit dhe/ose fyerjen e tyre përmes veprimeve, gjesteve apo fjalëve”. Ndërkohë, Neni 10, pika 18, shkon edhe më tej.

Sipas tij, konsiderohet shkelje jashtëzakonisht e rëndë çdo veprim, deklaratë verbale apo e shkruar që mund të cenojë respektin, dinjitetin apo imazhin e klubit, të ofendojë personat që janë pjesë e tij apo e përfaqësojnë atë, ose t’i shkaktojë Real Madridit dëme serioze, drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Avokati Romero de la Osa i ka cilësuar këto dispozita si një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Sipas tij, klubi nuk mund të vendosë vetë se një tifoz apo anëtar ka kryer një shkelje ligjore vetëm pse ka fyer apo nënçmuar një zyrtar të klubit, pa u ndjekur procedurat përkatëse ligjore dhe pa u trajtuar çështja nga gjykatat.

“Unë mund të shkruaj atë që shkruaj sepse nuk jam anëtar i Real Madridit dhe as tifoz i tij. Po të isha, mund të më përjashtonin për dy ose tre vjet, madje edhe përgjithmonë, dhe të më ndalonin ta shikoja skuadrën time për dy apo tre vjet. A nuk e kuptoni sa i madh është ndikimi i një ndalimi të tillë?”, deklaroi ai.

Sipas kodit të ri disiplinor, anëtarët që kryejnë shkelje të rënda mund të dënohen me pezullim të përkohshëm të anëtarësisë për një periudhë prej një deri në dy vjet dhe/ose me ndalim të hyrjes në ambientet e klubit për të njëjtën periudhë.

Për shkeljet e klasifikuara si jashtëzakonisht të rënda, ndëshkimet janë edhe më të ashpra: pezullim i anëtarësisë nga dy deri në tre vjet, humbje e përhershme e statusit të anëtarit dhe mundësi për ndalim të hyrjes në ambientet e Real Madridit për një periudhë prej dy deri në tre vjet.

Gazeta spanjolle “El Confidencial” raportoi se rreth 50 anëtarë të Real Madridit dorëzuan një letër në zyrat e klubit, duke kërkuar një takim për të diskutuar rregulloren dhe statutin e ri. Klubi, megjithatë, refuzoi ta pranonte letrën.

Anëtarët më pas e dërguan dokumentin me postë të regjistruar dhe tashmë po shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore kundër bordit drejtues të Real Madridit, në rast se nuk marrin përgjigje.

Burimi: Bota Sot