Ministria e Mbrojtjes ka ndarë një përditësim lidhur me situatën në vatrat e zjarrit në disa zona të vendit. Mësohet se gjendja paraqitet më problematike në Lurë, Dajt, Krujë dhe Bulqizë. Në Lurë, zjarri është nën kontroll; nuk ka rrezik për jetën e njerëzve dhe banesat. Në terren, 65 efektivë të FA dhe një zjarrfikëse.
Në Dajt janë angazhuar dy helikopterë të Forcës Ajrore për fikjen e zjarrit. Nuk paraqitet rrezik për banesat apo bizneset. Në fshatin Abaze të Krujës, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. 32 efektivë, 1 zjarrfikëse, 1 ambulancë dhe 1 helikopter të angazhuar nga Forcat e Armatosura.
Në Bulqizë, ku 22 efektivë dhe 3 mjete të angazhuara nga Forcat e Armatosura, situata pranë qendrave të banuara është nën kontroll të plotë, pa rrezik për jetën e njerëzve dhe banesat e tyre.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm ndërsa forcat operacionale vijojnë punën pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e vatrave, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave, pronave dhe mjedisit.
