Deputetë të PDK-së dhe Aleancës në sallë plenare, kërkojnë

0%

Deputetë të PDK-së dhe Aleancës janë mbledhur në sallë plenare për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, edhe pse Dehari nuk e ka thirrur një gjë të tillë. Në sallën që kësaj radhe ishte e hapur, nuk janë as të LVV-së, as të LDK-së dhe të partive joshumicë. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nga foltorja e Kuvendit kërkoi që të vazhdojë seanca konstituive.

“LVV-ja, Kurti, Haxhiu e Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Jo një afat të vendosur nga opozita, por nga Kushtetuta”- tha ai.

Hamza tha se institucionet po funksionojnë në terren të pasigurt, me shkelje të Kushtetutës, ndërsa përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë në tjetrën. Ai ka thënë se pa e kthyer procesin në binarët kushtetues, Kurti nuk ka kredibilitet të hapë tema të tjera madhore shtetërore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkaq deputeti i Aleancës, Burim Ramadani tha se Kosova dhe ky Kuvend do duhej të jetë funksional për t’i trajtuar temat veç e veç edhe kërcënimin me rrjedhën e Ibrit sepse sipas tij, nuk ka kush e trajton. “Këta krejt çka po bëjnë është me ikë prej këtij Kuvendit, themelimit të institucioneve.

Kjo situatë jo vetëm që nuk është normale, por është duke u futur në vakum institucional, shtetëror. Nuk do ta lejojmë, e kemi obligim të mos e lejojmë vakumin” – tha Ramadani. Gjithsej në sallë janë 22 deputetë të zgjedhur të Kuvendit të pakonstituuar që nga 8 gushti po kërkojnë që të vazhdojë seanca konstituive.

Të dy këto parti kanë dërguar edhe shkresa zyrtare te Avni Dehari për vazhdimin e saj. Kallxo.com e ka kontaktuar Deharin në qoftëse do ta thërrasë seancën, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në telefon, derisa në ueb-faqen e Kuvendit nuk është vendosur në kalendar vazhdimi i seancës.

Kërkesa e këtyre dy partive, vjen pasi seanca konstituive e Kuvendit ende nuk ka përfunduar, ndonëse janë tejkaluar afatet e përcaktuara për përmbylljen e saj. Një nga vazhdimet e seancës është mbajtur më 8 gusht, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur një vazhdim tjetër.

Të mërkurën, më , deputetë të PDK-së dhe Aleancës u mblodhën në sallën plenare të Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës dhe respektimin e rendit kushtetues. Në atë rast, kryesuesi Avni Dehari kishte deklaruar paraprakisht se, pa një marrëveshje politike, çdo vazhdim i seancës do të ishte një “seancë shterpë”.

Kriza rreth konstituimit të Kuvendit ka vazhduar edhe pas tejkalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në aktgjykimin e 26 qershorit 2025, Gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese.

Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës. Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.

Burimi: Kallxo