– Ramadani: Askush nuk po ia konteston VV-së fitoren, por do të jetë e fundit për ta Burim Ramadani, deputet i Aleancës, në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Kosovës, tha se Albin Kurti po e rrezikon sigurinë kombëtare.
“Është e paimagjinueshme se si një njeri që udhëheq shtetin qe gati 7 vjet, e ndër to edhe institucionet e sigurisë, nuk don me kuptu që vakumi institucional është baza e rrezikimit të sigurisë kombëtare. Pse po ikin këta njerëz? Pse e kanë qëllimin e bllokimit të institucioneve, përkatësisht të shtetit?
Askush nuk po ka konteston fitoren e 7 qershorit, por bindja jonë është se kjo do të jetë fitorja e tyre e fundit. Askush nuk po ia konteston se kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e Kuvendit e edhe qeverinë. Është vetëm një njeri që po konteston këtu: është zoti Kurti. Ata po e kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve të cilin nuk po kanë vullnet ta zbatojnë”. “A janë qëllimet ogurzeza?
Do ta shohim më vonë, sepse vakumi institucional është thelbi që e rrezikon shtetin e Kosovës. Ftojmë LVV-në që ta zbatojë rezultatin e zgjedhjeve dhe kjo do të jetë sigurt hera e fundit që ata do ta kenë këtë besim qytetar ”, u shpreh deputeti i Aleancës. – Hamza: Kurti, Haxhiu dhe Dehari qëllimisht shkelën Kushtetutën Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari kanë shkelur qëllimisht Kushtetutën e vendit.
Hamza tha se situata tashmë ka kaluar nga kriza politike në krizë kushtetuese dhe institucionale. “ Jemi sot këtu së bashku me deputetët tanë dhe deputetët e Aleancës sepse LVV, Kurti, Haxhiu dhe Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë.
Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, jo një afat të vendosur nga PDK, jo nga opozita por nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Sot nuk kemi më vetëm kriza politike, por edhe kriza kushtetuese dhe institucionale.
Institucionet po funksionojnë në një terren të pasigurt me shkelje kushtetuese, me shkelje të Rregullores së Kuvendit ndërsa përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë politike.
Kjo nuk është normale dhe nuk do lejojmë të bëhet normale” , tha Hamza. – PDK-ja dhe Aleanca sërish në Kuvend Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës po qëndrojnë edhe të premten në Kuvendin e Kosovës, ndonëse as për sot nuk është thirrur seancë.
Ata po kërkojnë që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, e cila ka mbetur e ndërprerë në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e legjislaturës së re. “LVV-ja e ka kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimshëm e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit” , tha kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në foltoren e Kuvendit.
PDK-ja dhe Aleanca kanë qëndruar në Kuvend edhe gjatë ditëve të kaluara, duke kërkuar që puna e Kuvendit të vazhdojë, ndërsa përplasjet me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë shoqëruar edhe me tensione në sallë.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se para vazhdimit të procedurave për konstituimin e Kuvendit duhet të arrihet një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Por, zhvillim i ri në këtë situatë është qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi të enjten se partia e tij tërhiqet nga kërkesat për çdo pozitë institucionale në këmbim të zhbllokimit të institucioneve. Ai tha se LDK-ja nuk kërkon asnjë ministri, drejtimin e Kuvendit apo postin e presidentit dhe është e gatshme të votojë për një president jopartiak dhe konsensual.
Ndërkohë, PDK-ja dhe Alenca vazhdojnë të kërkojnë që seanca konstituive të vazhdojë. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar përfaqësues të LVV-së për t’i pyetur për hapat e tyre të radhës, por deri tani nuk ka marrë përgjigje. Kriza institucionale në Kosovë po vazhdon prej përplasjes mbi mënyrën se si duhet të procedohet me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja doli partia e parë me 53 deputetë, PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me shtatë.
