Zelanda e Re është bërë vendi i fundit që ka tërhequr mbështetjen për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke u distancuar edhe nga qëndrimi i Konfederatës së Futbollit të Oqeanisë (OFC). Federata e Futbollit të Zelandës së Re ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë rizgjedhjen e Infantinos për një mandat të katërt në krye të FIFA-s.
Infantino ka humbur mbështetjen e disa konfederatave të rëndësishme, përfshirë UEFA-n, Konfederatën Aziatike të Futbollit (AFC) dhe Concacaf-un, pas planeve të dështuara për shitjen e 20 për qind të të drejtave komerciale të Kupës së Botës investitorëve privatë.
Ndërkohë, Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) dhe ajo e Amerikës së Jugut, CONMEBOL, vazhdojnë ta mbështesin 56-vjeçarin për një mandat të ri. Zelanda e Re i është bashkuar kështu disa federatave individuale, përfshirë Anglinë, Uellsin, Norvegjinë, Republikën e Irlandës dhe Irlandën e Veriut, të cilat kanë konfirmuar se nuk do ta votojnë Infantinon.
Federata e Zelandës së Re ka kërkuar gjithashtu një rishikim të pavarur të mënyrës se si është zhvilluar projekti “FIFA Forward Enterprise Scheme”. “Vendimet dhe veprimet brenda FIFA-s kanë kontribuar në një prishje të besimit dhe në rritjen e përçarjeve brenda futbollit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e federatës.
Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Zelandës së Re, Andrew Pragnell, ka kërkuar që procesi të mos jetë vetëm një rishikim i brendshëm i FIFA-s. “Një rishikim i pavarur është diçka që është kërkuar edhe nga konfederata të tjera dhe që do të ndihmonte në rikthimin e besimit”, tha Pragnell. Zelanda e Re ishte e vetmja nga 11 anëtarët e OFC-së që u kualifikua në Kupën e Botës 2026.
Në anën tjetër, Kaledonia e Re ka riafirmuar mbështetjen për Infantinon. OFC ka mirëpritur vendimin e FIFA-s për të tërhequr propozimin, por nuk ka deklaruar nëse e mbështet apo e kundërshton rizgjedhjen e Infantinos.
