Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në disa zona të Komunës së Bujanocit, për shkak të zjarreve që kanë përfshirë disa pjesë të territorit të kësaj komune. Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme i Komunës së Bujanocit është mbledhur mbrëmjen e së enjtes për të shqyrtuar situatën dhe masat që duhet të ndërmerren për përballimin e zjarreve.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka bërë të ditur se aktualisht janë aktive disa vatra zjarri, ndërsa më të prekura janë zonat e Breznicës, Tërnocit, Verbanit dhe Karadnikut.
Në terren janë mobilizuar të gjitha ekipet relevante, përfshirë zjarrfikësit, ndërmarrjen publike “Komunalia”, sektorin e pyjeve, ekipet për mirëmbajtjen e rrugëve, pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe vullnetarë. Në disa lokacione zjarret janë vënë nën kontroll, ndërsa në zona të tjera ekipet po vazhdojnë luftën me flakët.
Pajaziti ka thënë se, për momentin, vendbanimet dhe objektet familjare nuk janë në rrezik të drejtpërdrejtë, por situata mbetet serioze dhe kërkon angazhim maksimal të të gjitha strukturave. Ndërkohë nga Qeveria e Serbisë nuk ka mbështetje për shkak të, siç thuhet rrezikut nga minat.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq ka qëndruar në fshatin Breznicë afër pikës kufitare me Kosovën. Ai deklaruar se zjarret kanë prekur rreth 200 hektarë tokë në afërsi të Bujanocit, përfshirë zonën ku ndodhet Zona e Sigurisë Tokësore.
Daçiq ka paralajmëruar se ndërhyrja është e rrezikshme për shkak të dyshimeve për municione të pashpërthyera të mbetura nga konflikti në Luginën e Preshevës. Megjithatë, sipas tij, “aktualisht nuk ka persona apo familje në rrezik”. Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme ka kërkuar edhe mbështetje shtesë nga komunat e tjera, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, të mos përhapin informacione të pakonfirmuara dhe të ndjekin njoftimet zyrtare. Për situatën ka reaguar edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, i cili ka kritikuar institucionet serbe për mënyrën e trajtimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Duke iu referuar vizitës së Daçiqit në Breznicë, Mustafi ka pretenduar se shqiptarët janë të nënpërfaqësuar në institucionet e sigurisë, përfshirë shërbimet e zjarrfikësve.
Ai ka theksuar se shqiptarët përbëjnë rreth 62 për qind të popullsisë në Bujanoc dhe rreth 94 për qind në Preshevë, ndërsa, sipas tij, në konkursin e fundit për zjarrfikës janë pranuar vetëm tre persona në Bujanoc dhe dy në Preshevë, pa asnjë shqiptar.
