Pas muajsh negociatash, është përcaktuar përfundimisht vendi ku do të zhvillohet edicioni i vitit 2027 i Superkupës së Spanjës. Kompeticioni, i cili fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në Arabinë Saudite, do të zhvendoset në Turqi, për shkak të përplasjes së datave me Kupën e Azisë.
Sipas njoftimit të Federatës Spanjolle të Futbollit, turneu do të zhvillohet nga 2 deri më , ndërsa të gjitha ndeshjet do të luhen në stadiumin olimpik “Atatürk” në Stamboll. Marrëveshja është arritur mes federatës spanjolle dhe asaj turke. Stambolli u përzgjodh pas një procesi të gjatë vlerësimi, gjatë të cilit u shqyrtuan shtatë kandidatura nga vende të ndryshme.
Në fund, Turqia u konsiderua si alternativa më e përshtatshme për organizimin e kompeticionit. Në Superkupën e Spanjës do të marrin pjesë Barcelona, Real Madrid, Real Sociedad dhe Atletico Madrid. Në bazë të formatit të përcaktuar, gjysmëfinalja e parë do të përballë Barcelonën, kampione të La Ligës, me Atletico Madridin, finalist të Kupës së Mbretit.
Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen Real Sociedad, fituese e Kupës së Mbretit, dhe Real Madrid, që e përfundoi kampionatin në vendin e dytë. Pas edicionit të vitit 2027, Superkupa e Spanjës pritet të rikthehet në Arabinë Saudite në vitin 2028, ku është zhvilluar edhe në edicionet e fundit.
Edicioni i fundit i kompeticionit i takoi Barcelonës së Hansi Flick, e cila triumfoi në finale ndaj Real Madridit me rezultatin 5-2.
