Kuvendi i Kosovës në ngërç, partitë përballë njëra-tjetrës – çfarë

0%

Ngërçi politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës po vazhdon, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për tejkalimin e situatës së krijuar. Pavarësisht mungesës së një kompromisi, PDK-ja po këmbëngul që seanca për konstituimin e Kuvendit të vazhdojë.

Ky qëndrim ka ngritur pikëpyetje nëse insistimi i PDK-së synon zhbllokimin e procesit institucional apo paraqet një formë presioni ndaj subjekteve të tjera politike. Në anën tjetër, mbetet e hapur çështja nëse partitë duhet të intensifikojnë përpjekjet për një marrëveshje para vazhdimit të seancës, në mënyrë që të shmanget zvarritja e mëtejshme.

Mungesa e kompromisit mes subjekteve politike po e mban Kuvendin në një situatë të bllokuar dhe po vonon funksionalizimin e institucioneve. Përballë kësaj situate, shtrohet pyetja se çfarë rrezikon Kosova nëse partitë politike vazhdojnë të mos gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Avdimetaj kërkon vazhdimin e seancës së Kuvendit dhe u bën thirrje partive politike të marrin përgjegjësinë për zhbllokimin e institucioneve Analisti dhe veprimtari Shefqet Avdimetaj për “Bota sot” vlerëson se PDK-ja ka të drejtë të kërkojë vazhdimin e seancës së Kuvendit, duke theksuar se në një demokraci parlamentare vendi i deputetëve është në institucion dhe jo jashtë tij.

Sipas tij, insistimi për vazhdimin e seancës mund të shihet si përpjekje për rikthimin e procesit në rrugë institucionale dhe për t’i dhënë fund një ngërçi që po zgjatet përtej çdo mase të arsyeshme. Analisti dhe veprimtari Shefqet Avdimetaj Megjithatë, Avdimetaj paralajmëron se vazhdimi i seancës nuk duhet të shndërrohet në një tjetër përplasje politike pa rezultat.

“Nëse nuk ekziston vullneti për të votuar dhe për të marrë përgjegjësinë që ua ka dhënë qytetari, atëherë edhe vazhdimi i seancës mund të kthehet në një formë tjetër të bllokimit ”, shprehet ai.

Ai konsideron se të gjitha partitë politike, përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Vetëvendosjen, kanë përgjegjësi për zhbllokimin e situatës dhe duhet të ulen për të gjetur një zgjidhje institucionale.

Sipas Avdimetajt, kompromisi është pjesë e demokracisë, por ai nuk duhet të nënkuptojë imponimin e vullnetit të një partie ndaj tjetrës, ndërsa njëkohësisht duhet respektuar edhe rezultati i zgjedhjeve.

“ Nuk mund të kërkojmë demokraci vetëm atëherë kur rezultati na pëlqen ”, thekson Avdimetaj, duke shtuar se opozita ka të drejtë ta kundërshtojë, kritikojë dhe sfidojë shumicën në Kuvend, por jo ta zëvendësojë vullnetin e qytetarëve me bllokadë politike. Në të njëjtën kohë, ai thotë se edhe shumica duhet ta kuptojë se mandati demokratik nuk nënkupton të drejtën për të mos dëgjuar askënd.

“Kosova nuk ka nevojë për fitues të përkohshëm të një beteje politike. Ka nevojë për institucione funksionale ”, shprehet ai. Avdimetaj paralajmëron se zgjatja e ngërçit politik mund të dëmtojë besimin e qytetarëve në politikë dhe në institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, rreziku më i madh nuk është se cila parti do ta fitojë përplasjen politike, por që “humbësi të jetë qytetari dhe shteti”. Në fund, ai u bën thirrje deputetëve që ta vazhdojnë seancën, të votojnë dhe të marrin përgjegjësinë që u është dhënë nga qytetarët. “Në demokraci pushteti nuk merret me bllokadë. Pushteti fitohet me votë dhe humbet me votë” , përfundon Avdimetaj.

Dashi thotë se Kosova nuk mund të trajtohet si pronë e asnjë partie dhe kërkon që interesat partiake e personale të lihen anash për funksionalizimin e institucioneve Kurse, publicisti dhe veprimtari Gazmend Dashi duke komentuar zhvillimet e fundit politike, thotë se nëse qëllimi i PDK-së është zhbllokimi i situatës dhe funksionalizimi i institucioneve, një qasje e tillë duhet përshëndetur.

Megjithatë, ai paralajmëron se nëse pas këtyre veprimeve fshihen interesa të ngushta partiake apo personale, atëherë ato do të ishin të dëmshme për Kosovën.

“Kosova nuk mund të trajtohet si pronë e asnjë partie politike dhe as si mjet për realizimin e interesave të individëv e”, shprehet Dashi për “Bota sot”, duke shtuar se një qasje e tillë do ta dëmtonte edhe më tej imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, situata aktuale institucionale është shqetësuese, pasi pamundësia për të krijuar dhe funksionalizuar institucione të qëndrueshme po e fut vendin në një cikël të pasigurisë politike. Dashi thekson se institucionet duhet t’i shërbejnë qytetarit dhe shtetit dhe jo të shihen si mjete për kontrollin e pushtetit.

Duke folur për rolin e LDK-së, Dashi thotë se kjo parti, sipas tij, e ka vendosur interesin kombëtar dhe shtetëror mbi interesin e ngushtë partiak. Ai vlerëson se edhe në situatën aktuale LDK-ja po përpiqet të kontribuojë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe tejkalimin e kolapsit institucional.

Ai kërkon që partitë politike të lënë pas inatet, konfliktet dhe kalkulimet e ngushta, duke theksuar se Kosova është më e madhe se çdo subjekt politik dhe më e rëndësishme se çdo individ. Dashi thekson nevojën për një balancim të shëndoshë politik, ku asnjë parti të mos ketë mundësi të qeverisë pa përgjegjësi dhe kontroll institucional.

Sipas tij, vetëm përmes një ekuilibri të tillë mund të ruhet pluralizmi demokratik dhe të shmanget përqendrimi i pushtetit. Në fund, ai apelon për respektim të Kushtetutës, funksionalizim të institucioneve dhe një kulturë të re politike, ku kundërshtari të mos shihet si armik, por si pjesë e demokracisë.

“Partitë vijnë e shkojnë, individët ndërrohen, por shteti mbetet”, përfundon Dashi, duke e mbyllur mesazhin e tij me thirrjen: “Kosova mbi të gjitha! Shteti mbi partinë! Interesi kombëtar mbi interesin personal!”

Burimi: Bota Sot