Neymar ka kritikuar ashpër një pjesë të tifozëve të Santosit pas fitores 2-1 ndaj Macara-s në Copa Sudamericana, duke i bërë thirrje që të mos shkojnë në stadium nëse kanë një mentalitet negativ. Santos e nisi keq ndeshjen, duke pësuar gol pas vetëm katër minutash lojë. Reagimi i disa tifozëve në Vila Belmiro ishte i menjëhershëm, me vërshëllima dhe kritika ndaj ekipit.
Megjithatë, Santos arriti ta përmbysë rezultatin, ndërsa Neymar ishte një nga protagonistët kryesorë me dy asistime. Pas ndeshjes, braziliani nuk e fshehu zhgënjimin ndaj një pjese të tifozëve. “Ajo që po thosha atje ishte se po humbnim 1-0 dhe e di që tifozët kanë vuajtur prej shumë vitesh.
Por, nëse do të vazhdoni të mendoni për këtë dhe të vini në stadium me një mentalitet negativ, më mirë rrini në shtëpi”, u shpreh Neymar. Ai tregoi edhe një episod gjatë ndeshjes, duke kërkuar më shumë mbështetje në vend të kritikave. “I thashë personit atje: në vend që të kritikosh, kanë mbetur ende 60 minuta për të luajtur. Na mbështetni, na inkurajoni.
Pastaj ne e përmbysëm ndeshjen, unë shkova të pi ujë dhe ai po bënte shenjën e zemrës nga tribuna. Është e lehtë të jesh tifoz i Santosit në këtë mënyrë, duke e dashur lojtarin vetëm kur ai fiton” , shtoi ylli brazilian. Santos tani do të përballet me Vasco da Gamën, me të dyja skuadrat që kanë pikë të barabarta në tabelë.
Një fitore do t’i jepte ekipit të Neymarit mundësinë të ngjitej deri në vendin e 14-të.
