“Tranzicioni i KFOR-it nga ura e Ibrit, sinjal i rëndësishëm politik

0%

Vendimi i KFOR-it për të nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, së bashku me integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit, përbën një zhvillim me rëndësi për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.

Ky hap, që vjen pas vlerësimit për përmirësimin e situatës së sigurisë, ngre pyetje për rritjen e përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës në garantimin e sigurisë, veçanërisht në veri. Në të njëjtën kohë, ndryshimi i pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër ka edhe peshë politike e simbolike, pasi kjo urë për vite me radhë ka qenë një nga pikat më të ndjeshme të ndarjes së Mitrovicës.

Në aspektin politik, analistët vlerësojnë se tranzicioni gradual i KFOR-it nga ura kryesore mbi Ibër përbën një sinjal të rëndësishëm për Kosovën dhe për konsolidimin e institucioneve të saj. Sipas tyre, ky zhvillim nuk duhet parë si tërheqje e NATO-s nga Kosova, por si një hap drejt rritjes së përgjegjësisë së institucioneve vendore dhe forcimit të sovranitetit institucional.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në planin politik e diplomatik, ky zhvillim shihet edhe si tregues i rritjes së besimit të partnerëve euroatlantikë në institucionet e Kosovës. Megjithatë, sipas tyre, procesi duhet të shoqërohet me vendime konkrete dhe me një qasje më të qartë ndërkombëtare ndaj Kosovës, përfshirë avancimin e saj drejt strukturave euroatlantike.

Tahiraj: Kosova nuk ka nevojë për “sheqerka”, por për vendime të guximshme Publicisti dhe veprimtari Saim Tahiraj, në një prononcim për “Bota sot”, e ka vlerësuar si të duhur veprimin e fundit të NATO-s, duke shprehur shpresën se ai do të jetë serioz dhe do të shënojë një fillim të mbarë.

Publicisti dhe veprimtari Saim Tahiraj Tahiraj ka kritikuar vendimet ndërkombëtare të së kaluarës lidhur me Kosovën, veçanërisht ndarjen e Mitrovicës dhe vendosjen e KFOR-it në urën mbi Ibër. “Një veprim i tillë është i duhur. Shpresoj dhe uroj që të jetë serioz dhe të shënojë një fillim të mbarë.

Por, në të dyja rastet, duhet ta themi qartë se kemi të bëjmë me vendime dhe veprime të dëmshme, të cilat Kosovës i kanë kushtuar shumë. Ndarja e Mitrovicës dhe vendosja e KFOR-it francez në urën mbi Ibër ishte vazhdimësi e një serie gabimesh historike që shqiptarët i kanë paguar me copëtim territoresh, masakra dhe gjenocid pas gjenocidi.

Traktati i Shën Stefanit i sakatoi shqiptarët, ndërsa Kongresi i Berlinit vazhdoi të njëjtën politikë, me shumë pak korrigjime. Nuk është rastësi që shqiptarët janë ndër popujt më të shpërndarë në botë, si rezultat i pushtimeve dhe spastrimeve të shumta etnike.

Shumë territore shqiptare mbetën nën okupimin e shteteve grabitqare fqinje, të mbështetura nga fuqitë evropiane dhe nga Perandoria Osmane. Historia e shqiptarëve është dëshmi e qartë se vendimet e fuqive të mëdha shpesh janë marrë mbi kokat e popujve dhe në dëm të tyre.

Falë mbështetjes së fuqishme të Austrisë dhe, më vonë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot ekzistojmë dhe jetojmë si dy shtete shqiptare. Shumë prej gabimeve historike të Evropës u korrigjuan pjesërisht vetëm falë përkrahjes së fuqishme amerikane” , ka shpjeguar ai.

Tutje, Tahiraj ka përmendur edhe periudhën e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke deklaruar se disa shtete që historikisht kanë mbështetur Serbinë janë përpjekur ta sabotojnë këtë ndërhyrje. “Edhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, disa shtete që historikisht kanë mbështetur Serbinë u përpoqën ta sabotojnë këtë ndërhyrje.

Në vazhdën e këtyre qëndrimeve duhet parë edhe ndarja e Mitrovicës nga francezët, si dhe vendosja e objekteve të caktuara fetare nën mbrojtje të veçantë, duke krijuar një situatë të papranueshme për një shtet sovran. Vendosja e KFOR-it në urën mbi Ibër nuk mund të shihet thjesht si një çështje teknike e sigurisë. Ajo ka prodhuar për vite me radhë një simbol të ndarjes dhe jo të bashkimit.

Edhe vendosja e KFOR-it në pikat e kontrollit në hyrje dhe dalje të rrugës përgjatë Manastirit të Deçanit duhet të trajtohet me shumë kujdes, sepse masa të tilla nuk duhet të shndërrohen në instrumente të përhershme që cenojnë sovranitetin dhe funksionimin normal të shtetit të Kosovës. Shqiptarët i kanë ndërtuar, ruajtur dhe mbrojtur trashëgimitë e tyre ndër shekuj.

Prandaj shtrohet pyetja: pse sot duhet të konsiderohet e domosdoshme që këto objekte të ruhen nga struktura të huaja ushtarake? Nëse kemi një shtet të lirë dhe sovran, institucionet e Kosovës duhet të kenë përgjegjësinë dhe kapacitetin për të mbrojtur çdo objekt të trashëgimisë kulturore e fetare, pa dallim ”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Tahiraj e ka cilësuar nismën e NATO-s si të mirëseardhur, nëse ajo synon kthimin gradual të përgjegjësive te institucionet e Kosovës. Në fund, ai ka kërkuar hapjen e plotë të urës mbi Ibër dhe një qasje të re ndërkombëtare ndaj Kosovës.

“Prandaj, një veprim i tillë nga NATO është një nismë që duhet përshëndetur, nëse synon kthimin gradual të përgjegjësive te institucionet e Kosovës. Uroj që kjo nismë të vazhdojë dhe të realizohet në plotni. Edhe ura mbi Ibër duhet të lirohet plotësisht. Urat ndërtohen për të bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata.

Një urë në zemër të një qyteti nuk mund të mbetet përgjithmonë simbol i ndarjes. Bashkësia Ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës. Kosovës nuk i duhen më masa të përkohshme, zgjidhje gjysmake dhe pengesa të reja. Ajo ka nevojë për integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike dhe për një perspektivë të qartë politike e institucionale.

Edhe NATO duhet ta afrojë Kosovën drejt anëtarësimit të plotë në gjirin e saj, sepse Kosova nuk është kërcënim për stabilitetin rajonal; përkundrazi, integrimi i saj në strukturat euroatlantike do të ishte garanci shtesë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Të gjitha këto nisma, nëse mbeten vetëm në nivel simbolik, janë thjesht ‘sheqerka’ për ta qetësuar përkohësisht Kosovën.

Kosova nuk ka nevojë për sheqerka. Kosova ka nevojë për vendime të guximshme, veprime konkrete dhe një politikë të qartë të Bashkësisë Ndërkombëtare. Historia na ka mësuar mjaft. Është koha që ajo të mos përsëritet” , ka përfunduar Tahiraj për “Bota sot”.

Tërheqja e KFOR-it nga ura e Ibrit, Halili: Sinjal i rëndësishëm për sigurinë në Kosovë Ndërsa, analisti politik Nijazi Halili, për “Bota sot”, ka cilësuar se ky proces nuk duhet parë si tërheqje e NATO-s nga Kosova, por si një ndryshim gradual i mënyrës së pranisë dhe përgjegjësive të sigurisë.

Nijazi Halili “Vendimi i KFOR-it për të nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të lexohet para së gjithash si një zhvillim i rëndësishëm në evoluimin e arkitekturës së sigurisë në Kosovë, dhe jo si një tërheqje e NATO-s nga Kosova.

Vetë KFOR-i e ka përcaktuar këtë proces si gradual, të kushtëzuar nga situata në terren dhe të koordinuar me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorë të tjerë relevantë. KFOR-i ka theksuar gjithashtu se do të ruajë praninë e dukshme në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut dhe në pjesë të tjera të veriut.

Në këtë kuptim, ajo që po ndodh në urën e Ibrit nuk duhet interpretuar si ‘vakum sigurie’, por si kalim gradual nga një prani statike ndërkombëtare drejt një modeli ku institucionet vendore të sigurisë marrin më shumë përgjegjësi.

Fakti që ky proces po zhvillohet paralelisht me integrimin gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit është veçanërisht domethënës.

Të dyja zhvillimet, në vende me simbolikë të jashtëzakonshme politike dhe ndëretnike, tregojnë se NATO po e sheh Policinë e Kosovës gjithnjë e më shumë si pjesë të strukturës së sigurisë që duhet të jetë në gjendje të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjitha komunite tet”, ka thënë ai.

Po ashtu, Halili ka vlerësuar se zhvillimi në urën e Ibrit ka rëndësi edhe në rrafshin politik dhe diplomatik, duke pasur parasysh simbolikën që kjo urë ka mbartur për vite me radhë. “Në rrafshin politik dhe diplomatik, tërheqja graduale e pranisë statike të KFOR-it nga ura e Ibrit është një sinjal i rëndësishëm.

Ura për vite me radhë ka qenë një nga pikat më të ndjeshme simbolike të ndarjes së Mitrovicës. Prandaj, fakti që NATO konsideron se kushtet e sigurisë kanë përmirësuar deri në atë masë sa mund të ndryshojë mënyrën e pranisë së saj, tregon një nivel më të lartë të besimit në kapacitetet vendore për menaxhimin e sigurisë.

Por duhet bërë një dallim i rëndësishëm: ky nuk është një akt i tërheqjes së NATO-s, por një akt i optimizimit të pranisë së saj. KFOR-i nuk po largohet nga veriu dhe nuk po heq dorë nga përgjegjësia për reagim.

Përkundrazi, vetë misioni ka deklaruar se personeli i tij është i pozicionuar në mënyrë që të mund t’u përgjigjet zhvillimeve relevante dhe se do të vazhdojë të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

Mendoj se këtu qëndron edhe mesazhi më i rëndësishëm për Serbinë dhe për çdo aktor që mund të tentojë destabilizimin e veriut: prania ndërkombëtare nuk po zëvendësohet me mungesë sigurie, por me forcim të përgjegjësisë institucionale vendore, nën një ombrellë të vazhdueshme të NATO-s.

Kjo është shumë më domethënëse sesa thjesht largimi i një pike statike nga një urë ”, është shprehur Halili. Sipas tij, zhvillimi mund të ketë ndikim edhe në narrativat politike dhe diplomatike lidhur me veriun e Kosovës.

“Në aspektin diplomatik, ky zhvillim gjithashtu e dobëson narrativën se veriu i Kosovës është domosdoshmërisht një hapësirë ku institucionet e Kosovës nuk mund të ushtrojnë përgjegjësi normale të sigurisë.

Përkundrazi, integrimi i Policisë së Kosovës në strukturën e sigurisë së KFOR-it në Deçan dhe kalimi gradual i përgjegjësive në pika të tjera të ndjeshme krijojnë një precedent të rëndësishëm: institucionet e Kosovës duhet të jenë bartëse të përgjegjësisë së sigurisë, ndërsa NATO mbetet garanci e jashtme dhe faktor stabilizues.

Kjo duhet parë edhe si një rezultat i procesit të konsolidimit institucional të Kosovës. Besimi nuk matet vetëm me deklarata politike, por edhe me faktin se një mision ndërkombëtar si KFOR-i konsideron se mund të reduktojë praninë e tij statike në një nga pikat më të ndjeshme të vendit, pa e cenuar sigurinë dhe pa e humbur aftësinë për të reaguar.

Megjithatë, ky zhvillim duhet menaxhuar me shumë maturi. Reduktimi i pranisë statike të KFOR-it nuk duhet të krijojë perceptimin se çështjet e sigurisë në veri janë përfundimisht të zgjidhura. Stabiliteti në atë pjesë të Kosovës mbetet i ndjeshëm dhe kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Vetë fakti që KFOR-i e përshkruan tranzicionin si ‘gradual’ dhe ‘condition-based’ tregon se NATO nuk po vepron mbi bazën e një vlerësimi politik të njëanshëm, por mbi bazën e kushteve konkrete të sigurisë në terren” , ka theksuar ai. Në fund, Halili ka potencuar se ky proces duhet parë me optimizëm, por edhe me përgjegjësi nga institucionet e Kosovës.

“Prandaj, ky zhvillim duhet lexuar me një dozë optimizmi, por edhe me përgjegjësi. Është një tregues i përmirësimit të situatës së sigurisë dhe i rritjes së rolit të institucioneve të Kosovës, por njëkohësisht është edhe një test për pjekurinë e tyre.

Sa më shumë përgjegjësi t’u besohet institucioneve vendore, aq më e madhe duhet të jetë aftësia e tyre për të garantuar sigurinë, rendin, lëvizjen e lirë dhe mbrojtjen e barabartë të të gjitha komuniteteve.

Në fund, mesazhi strategjik është mjaft i qartë: Kosova nuk po kalon nga siguria ndërkombëtare në pasiguri, por nga një model ku siguria në pika të caktuara garantohej drejtpërdrejt nga prania statike e KFOR-it, drejt një modeli ku institucionet e Kosovës marrin më shumë përgjegjësi, ndërsa NATO ruan kapacitetin, praninë dhe mandatin për të ndërhyrë nëse situata e kërkon.

Ky është, në thelb, një tregues i konsolidimit të shtetit dhe i besimit gradual të partnerëve euroatlantikë në institucionet e tij të sigurisë ”, ka përfunduar Halili për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot