Skuadra shqiptare e futbollit nga Maqedonia e Veriut, Shkëndija nga Tetova, nuk arriti ta kalojë pengesën e tretë këtë verë në kualifikimet e Ligës së Konferencës së UEFA-s. Sonte, në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi, tetovarët barazuan pa gola, 0:0, me skuadrën skoceze Hibernian, dhe në këtë mënyrë nuk arritën ta përmbysnin disavantazhin 2:1 nga ndeshja e parë.
Shkëndija e pati rastin e parë që në minutën e 4-t, kur nga rreth 11 metra Almir Kryeziu gjuajti pranë portës së skocezëve. Në vazhdim nuk pati ndonjë rast më konkret dhe pas 15 minutash lojë rezultati vazhdonte të ishte 0:0. Në minutën e 25-të, Kryeziu, i cili ishte futbollisti më i mirë i vendasve, u kërcënua sërish, por goditja e tij përfundoi përsëri jashtë portës së Salinger-it.
Hiberniani u kërcënua për herë të parë në minutën e 37-të, kur Elding pati mundësinë që nga krahu i djathtë t’i shërbente bashkëlojtarëve të tij, por futbollistët e Shkëndijës e larguan rrezikun. Në fillim të pjesës së dytë, Shkëndija përsëri provoi me një goditje nga distanca, por edhe Tamba gjuajti jashtë portës së skuadrës mysafire.
Tetovarët e patën rastin më të mirë të ndeshjes në minutën e 67-të, kur Ndezengue mbeti i vetëm përballë portës, por as ai nuk arriti ta godiste kuadratin e portës kundërshtare. Tamba pati një tjetër mundësi në minutën e 78-të, por topi thjesht nuk donte të përfundonte në portën e Salinger-it, i cili ishte në formë të mirë.
Deri në fund, Hiberniani arriti të mbrohej dhe këtë barazim e festoi si një fitore të madhe. Me rezultatin e përgjithshëm 2:1, Hiberniani kalon në raundin tjetër, ndërsa Shkëndija eliminohet nga kualifikimet e Ligës së Konferencës.
