Një ngjarje me rrezikshmëri të lartë ka mobilizuar autoritetet zvicerane pasditen e kësaj të enjteje në Zürich. Specialistët e ushtrisë zvicerane për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, në bashkëpunim me Policinë Ujore të Zürichut, kanë nxjerrë nga lumi Limmat një granatë dore funksionale, e cila ishte e prodhuar në ish-Jugosllavi, njofton policia e Zürichut.
Të enjten në mëngjes disa notues në zonën e njohur të notit në lumë Unterer Letten vërejtën në fund të lumit diçka që ngjante me një mjet shpërthyes. Pas njoftimit, zhytësit e Policisë Ujore kryen menjëherë një zhytje kontrolluese në vendngjarje, ku konfirmuan se bëhej fjalë për një granatë dore, e cila ndodhej vetëm një metër larg bregut.
Siç është procedura standarde në raste të tilla, policia e Zürichut njoftoi komandën e specializuar të ushtrisë, raportojnë mediat . Pasditen e së enjtes, dy ekspertë ushtarakë kryen një tjetër zhytje dhe pas ekzaminimit konstatuan se mjeti ishte një granatë dore luftarake me origjinë nga ish-Jugosllavia. Mjeti shpërthyes u nxor me sukses nga uji pak pas orës .
Instituti Forensik i Zürichut e transportoi granatën me një automjet të veçantë drejt një zone të sigurt për kryerjen e shpërthimit të kontrolluar. Gjatë gjithë operacionit të nxjerrjes, Policia e Qytetit të Zürichut e bllokoi tërësisht zonën e prekur në Unterer Letten për arsye sigurie.
