Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë shprehur dyshime mbi një paralajmërim të përcjellë nga Izraeli për një kërcënim të mundshëm iranian për vrasjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë vizitës së tij në Turqi.
Sipas Washington Post, analistët e CIA-s nuk e kishin konsideruar informacionin bindës, ndërsa një zyrtar amerikan ka thënë se paralajmërimi ishte vlerësuar me “besueshmëri të ulët”. Pavarësisht dyshimeve, informacioni kishte çuar në masa të jashtëzakonshme sigurie për presidentin amerikan.
Pas marrjes së paralajmërimit, Trump raportohet se ishte transportuar në mënyrë të fshehtë me një kamion furnizimi ushqimor të aeroportit drejt një avioni ushtarak alternativ, me të cilin ishte larguar nga Ankaraja drejt Britanisë.
Sipas raportimit, disa zyrtarë të inteligjencës amerikane dyshonin se Izraeli mund ta kishte përcjellë paralajmërimin edhe me synimin për të ndikuar në politikën e Trumpit në rajon. Një zyrtar amerikan ka deklaruar se rasti përputhej me një model më të gjerë raportimesh të inteligjencës izraelite, për të cilat ekziston dyshimi se synojnë të ndikojnë vendimmarrjen e presidentit amerikan.
Sipas të njëjtit raportim, Izraeli është i shqetësuar për afrimin e marrëdhënieve mes Washingtonit dhe Ankarasë, si dhe për raportin mes Trumpit dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
