Policia e Kosovës ka realizuar dy ekstradime të personave të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, nga Gjermania dhe Hungaria drejt Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, më , nga Gjermania është ekstraduar shtetasi kosovar M.T., i cili kërkohej nga institucionet e drejtësisë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja edhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë për procedura të mëtejshme ligjore. Ndërkaq, më 13 gusht, nga Hungaria është ekstraduar në Kosovë shtetasi i Serbisë, I.S., i cili po ashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për të njëjtën vepër penale.
Edhe I.S. pas ekstradimit iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë në kuadër të DRP-së në Prishtinë, për procedurat e mëtejshme ligjore. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto ekstradime janë mundësuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë e Hungarisë.
Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), Policia ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprimtari kriminale brenda dhe jashtë vendit./ Telegrafi
