Një person me inicialet S.Q. është arrestuar në flagrancë në Prizren, nën dyshimin se për më shumë se një vit ka shantazhuar dhe ngacmuar një grua, duke arritur t’i marrë deri në 50 mijë euro. Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se arrestimi është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore.
Sipas Prokurorisë, nga qershori i vitit 2025 deri më , i dyshuari dyshohet se përmes rrjeteve sociale dhe komunikimeve në WhatsApp e ka kërcënuar të dëmtuarën me publikimin dhe dërgimin te familjarët e saj të materialeve që pretendonte se do t’ia cenonin nderin dhe autoritetin.
Në këmbim të mospublikimit të tyre, ai dyshohet se ka kërkuar para dhe ka arritur të përfitojë deri në 50 mijë euro. Sipas hetimeve, e dëmtuara dyshohet se një pjesë të parave i kishte siguruar edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj, me qëllim që t’i përmbushte kërkesat e të dyshuarit.
Prokuroria thotë se S.Q. dyshohet se ka vazhduar edhe me komunikime të padëshiruara dhe kërcënuese, duke i shkaktuar viktimës frikë dhe shqetësim të madh emocional për veten dhe familjen e saj. Në kuadër të rastit janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një veturë dhe dy telefona celularë.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Shantazhi” dhe “Ngacmimi”, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave të tjera janë duke vazhduar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
