Gjenevë, vend i humanizmit, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, strehë e të pastrehëve, sofër e të uriturve, shëruese e plagëve të atyre që lindën të pafat dhe të cilëve lirinë e tokën ua rrëmbyen agresorët lakmitarë — në ndihmë u dole në orën më të ligë. Me ta ndave gjithçka që pate. Gjenevë, në shtratin tënd lindi drejtësia dhe bamirësia.
Zoti t’i fali bukuritë përrallore: Lemanin dhe fushat pjellore. Me orët e ustave të tu, planeti mat kohën. Në pallatet e tua mbahen kuvendet, u bëhet thirrje të pashpirtëve dhe gjakësorëve të ndalin dhunën e masakrat ndaj të pafuqishmëve, që nuk kërkojnë gjë tjetër, veçse të jetojnë të lirë në tokën e tyre.
Me ujin e kristaltë të lumenjve Ron e Arv, çdo ditë shuan etjen e gjallesave dhe, qetësisht, ujit livadhe e kopshte që mahnitin me bukurinë e tyre. Gjenevë, me ujëvarën që, pa pushuar, nga agimi në mbrëmje fërfëllon ujin lart në qiell, dhe parqet magjike që kundërmojnë erë të këndshme trëndafilash dhe tulipanësh, ishe dhe do të mbetesh simbol i paqes dhe solidaritetit.
