Fotoreporterja iraniane përballet me 15 vjet burg për fotografitë e

0%

Fotoreporterja e njohur iraniane, Yalda Moaiery, e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës duke dokumentuar momente pakënaqësie dhe jetën e grave në Iran. Kjo punë e ka ndeshur vazhdimisht me autoritetet iraniane, dhe në Ditën Kombëtare të Gazetarisë iraniane të shtunën e fundjavës së kaluar e mori vesh se ishte dënuar me 15 vjet burgim, raporton Reuters .

Dënimi u shqiptua sipas ligjit të aprovuar pas luftës 12-ditore ndërmjet Izraelit e Iranit vjet, legjislacion për të cilin autoritetet iraniane thonë se synon ta luftojë spiunazhin dhe bashkëpunimin me shtetet armiqësore. Kur Moaiery mbërriti në Gjykatën Revolucionare të Teheranit, nuk iu dhanë dokumentet zyrtare të rastit, ka treguar ajo.

Në vend të kësaj, një mik që e shoqëronte kopjoi me dorë detaje nga aktakuza. Grupet e të drejtave thonë se procedura të tilla pasqyrojnë mungesën e transparencës në sistemin gjyqësor iranian.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas dorëshkrimeve të analizuara nga agjencia Reuters, akuzat kundër saj përfshijnë dhënien e intervistave për mediat të konsideruara armiqësore nga autoritetet dhe ofrimin e fotografive për organizatat e lidhura me SHBA-në dhe Izraelin. Reuters nuk ia ka dalë të verifikonte në mënyrë të pavarur përmbajtjen e aktakuzës.

Moaiery në një deklaratë për Reutersin ka theksuar se krahu i inteligjencës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike ia ka bastisur shtëpinë gjatë protestave antiqeveritare në janar dhe ia ka konfiskuar telefonin, laptopin dhe pajisje të tjera elektronike.

Ajo ka thënë se oficerët e Gardës e bastisën përsëri pasi SHBA-ja nisi sulmet ajrore ndaj Iranit sivjet dhe prapë ia sekuestruan gjësendet personale. “Në këtë rast, ata morën gjithçka, përfshirë edhe fotoaparatet që kisha pasur që nga fëmijëria”, ka treguar ajo.

“Unë iu nënshtrova disa herë marrjes në pyetje dhe përfundimisht çështja ime iu referua Degës 33 të Zyrës së Prokurorit të Sigurisë dhe më pas Gjykatës Revolucionare”. Zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Iranit në Nju Jork nuk iu përgjigj kërkesës së Reutersit për koment mbi rastin e saj.

Roya Boroumand, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran, “Abdorrahman Boroumand”, me seli në SHBA, ka thënë se mbajtja sekret e dokumenteve të rastit është përpjekje e Republikës Islamike për “heshtjen” e të pandehurit dhe tregon se gjyqësori vepron “në mënyrë flagrante” si agjent shtetëror.

Një karrierë në shërbim të jetës së grave iraniane Dokumenti dorëshkrim që Moaiery ia ka ofruar Reutersit liston akuza, përfshirë “intervista me rrjete armiqësore ndaj sistemit” dhe dërgimin e fotografive subjekteve në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael, që i përshkruan si “armiqësore”.

Moaiery ka treguar se ia ka ndarë televizionit CNN fotografitë që tregonin dëmet nga sulmet ajrore në Iran dhe se pati një intervistë lidhur me raportimin e saj në mars 2026. Ajo ka 10 ditë kohë për apelimin e vendimit sipas ligjit të spiunazhit të vitit 2025, gjysma e kohës së lejuar krahasuar me legjislacionin e mëparshëm. Moaiery është burgosur më parë për punën e saj.

Ajo vuajti dy vjet në burgun Gharchak, një vend që e kishte fotografuar më parë. Në vitin 2022, ajo u mbajt tre muaj në burg dhe u dënua me tetë vjet burg për mbulimin e kryengritjeve kombëtare, “Gruaja, Jeta, Liria”, që shpërthyen pas vdekjes së gruas së re iraniane, Mahsa Amini, derisa ishte në paraburgim policor.

Amnistia e mëvonshme ia uli dënimin, por ka theksuar se çështja vazhdoi ta ekspozonte ndaj marrjes në pyetje nga autoritetet. “Reporterët pa Kufij” thotë se 16 gazetarë janë arrestuar sivjet në Iran. Puna e Moaieryt është qendërsuar kryesisht te gratë.

Ajo fotografoi disa nga arrestimet më të hershme të dokumentuara të grave nga policia e moralit, përfshirë një fotografi të vitit 2007 që tregon dy gra të ulura në mjet të bardhë policie, me lotët që u rridhnin faqeve. Më 2017, ajo do të fotografonte një studente që protestonte për kushtet ekonomike në Universitetin e Teheranit.

Gruaja kalon midis gazit lotsjellës, duke ngritur grushtin në ajër. Fotografia u përdor nga administrata Trump në komentet e saj për të drejtat e njeriut në Iran. Moaiery ka thënë se vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj punës pavarësisht perspektivës së burgosjes së pastajme.

“Megjithatë, asnjë nga këto dënime nuk më ka bërë kurrë të heqë dorë prej rrugës time, as edhe për një moment të vetëm. Kam vazhduar të dokumentoj dhe të tregoj realitetet e shoqërisë iraniane” – ka thënë ajo. “Nuk kam asgjë për të humbur. Regjimi më mori gjithçka dhe e vetmja gjë që kam ende është e vërteta dhe ndershmëria ime si vëzhguese”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo