Cili do të jetë drejtimi i zgjerimit të Bashkimit Europian?

0%

Zgjerimi i BE-së muajve në vazhdim do të përballet me momentin e së vërtetës, ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria po i afrohen anëtarësimit, Ukraina dhe Moldavia po përparojnë dhe Brukseli po peshon reformat e nevojshme për ta përballuar një BE më të madhe dhe më komplekse, ka shkruar të enjten () Euronews .

Për herë të parë që nga Brexit-i, Bashkimi Europian ka një mundësi të kapshme që të zgjerohet përsëri. Por, ndërsa vende si Mali i Zi i afrohen shpejt anëtarësimit, ndërsa të tjerët e shohin Europën si spirancë sigurie, ambicia e zgjerimit të Brukselit është gati të përballet me momentin e së vërtetës.

Zgjerimi i BE-së po përjeton një vrull të vetëm në një gjeneratë, me disa “pararendës” që i afrohen vijës së finishit, Ukrainën dhe Moldavinë që po bëjnë hapat e parë përfundimtarë jashtë orbitës së Moskës, dhe Islandën që peshon nëse do t’i rifillojë bisedimet e pranimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Situata nuk është dukur kaq premtuese prej vitesh, me zyrtarët e BE-së që mburren se më shumë kapituj negociues janë mbyllur në gjashtë muajt e fundit sesa në dekadën e kaluar.

Brukseli e ka përdorur gjithnjë e më shumë pranimin në BE si mjet të politikës së jashtme – për të konsoliduar ndikimin në fqinjësinë e afërt, për t’i zgjeruar garancitë e sigurisë që frenojnë ndikimin e fuqive armiqësore dhe për ta ankoruar stabilitetin në mes të një spektri gjeopolitik të paqëndrueshëm.

Por, ndërsa perspektiva e një Unioni të zgjeruar po bëhet më konkrete, institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së po përballen gjithnjë e më shumë me një seri pyetjesh politike e strategjike që do të kulmojnë nëse jetësohet vala e ardhshme e zgjerimit.

Ekuilibri gjeografik Një faktor kyç që zgjerimi i Unionit duhet ta marrë në konsideratë është ekuilibri gjeografik, veçanërisht duke pasur parasysh zgjerimin alla “Big Bang” të vitit 2004.

Atëherë, 10 shtete të reja të Europës Qendrore dhe Lindore u anëtarësuan, duke i bërë shumë kryeqytete të Europës Perëndimore të ndiejnë se qendra e gravitetit të BE-së po zhvendosej shumë larg kah lindja. Favoritët aktualë, Mali i Zi dhe Shqipëria, nuk do ta ndryshonin këtë ekuilibër duke pasur parasysh madhësinë modeste.

Megjithatë, ndërsa i afrohen vijës së finishit, ato ngrenë një pyetje më të ndërlikuar se si të trajtohet vendi më i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor, Serbia, i cili mbetet temë përçarëse midis shteteve anëtare. Të ashtuquajturit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” kanë vënë në pikëpyetje konsideratat gjeopolitike që formësojnë ofertën e Beogradit për anëtarësim.

Ata paralajmërojnë se procesi i bazuar në meritë nuk po zbatohet barabartësisht në krejt vendet kandidate. Ndërsa rritet presioni për të hapur më shumë grupe pranimi me Ukrainën dhe Moldavinë para fundvitit, thirrjet për ta ruajtur ekuilibrin gjeografik me siguri do të bëhen më të forta dhe mund të rezultojnë në varësinë e progresit të pranimit të Ukrainës nga ai i Serbisë.

Islanda mund të jetë një faktor i befasishëm dhe i mirëpritur në ribalancimin e përbërjes ekonomike të bllokut: vendi i pasur nordik po mban referendum, me votim të hapur deri më 29 gusht, për të parë nëse do t’i rifillojë bisedimet e pranimit me BE-në. Ndërkohë, Ukraina është elefanti në dhomë.

Kryeqytetet e BE-së janë të vetëdijshme se një formë e anëtarësimit europian ose garancisë së sigurisë do të duhet të përfshihet në çdo marrëveshje përfundimtare paqeje me Moskën.

Pavarësisht ekonomisë së saj modeste, territori, popullsia dhe kapaciteti ushtarak i Kievit do ta bënin shtet anëtar me ndikim, veçanërisht në mbrojtje dhe politikë të jashtme – duke e detyruar Brukselin t’i bëjë ndryshe hesapet sesi do të funksiononte në të vërtetë një BE e zgjeruar.

Nevoja për reformë Në fjalimin e saj të përvitshëm më 2023, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaronte rishikimin e politikave para zgjerimit: një plan se si do të funksiononte një BE me 30 ose më shumë shtete anëtare. Plani më pas u la në heshtje për vite me radhë, pasi kërkesa e Ukrainës e ndërlikoi çështjen si praktikisht, njashtu edhe politikisht.

Komisioni tani duhet ta publikojë atë më 30 shtator, ndërsa ekzekutivi i BE-së mundohet t’i rikthehet iniciativës. Dhe derisa zgjerimi është zhvendosur në krye të agjendës së Brukselit, qeveritë europiane kanë debatuar si ta menaxhojnë valën tjetër të vendeve kandidate.

Ato kanë hedhur ide për mbrojtje më të forta demokratike për anëtarët e rinj, një trashëgimi e përvojës së Hungarisë nën Viktor Orbanin, deri te integrimi ngadalshëm i projektuar për të ofruar përfitime të hershme dhe të prekshme të anëtarësimit në BE.

Më thelbësisht, Komisioni pritet të propozojë reforma në funksionimin e brendshëm të vetë BE-së për të siguruar që Brukseli të mund të vazhdojë të funksionojë pas zgjerimit. Thirrjet për t’i dhënë fund kërkesës së unanimitetit për çështje, si politika e jashtme, për shembull, janë bërë gjithnjë e më të zëshme.

Është pjesë e një shtytjeje më të gjerë për ta bërë veprimin e jashtëm të bllokut më vendimtar në një klimë të tensionuar gjeopolitike – një tjetër trashëgimi e Orbanit që mban peng vazhdimisht vendimmarrjen e BE-së. Mund të rishfaqet ideja për ta bërë Komisionin Europian më të thjeshtë dhe më të shkathët me rifokusim në prioritetet në zhvillim.

Kjo do të përfshinte heqjen e parimit që çdo shtet anëtar të ketë nga një komisioner, i cili mbështetet nga vendet më të vogla. Skeptikët argumentojnë se koha është e gabuar për reforma kaq të thella, me disa vende kyçe të BE-së që përballen me zgjedhje në vitin e ardhshëm.

Një vend i tillë është Franca, ku perspektiva e një kandidati të ekstremit të djathtë, euroskeptik të Tubimit Kombëtar që fiton presidencën nuk është ndjerë kurrë më reale. Të tjerë kundërshtojnë duke thënë se gjithmonë ka zgjedhje të rëndësishme diku në Europë dhe se reformat e vonuara prej kohësh nuk mund të presin.

Pasiguria e ratifikimit Procesi i zgjerimit të BE-së gjithmonë ka supozuar se shtetet anëtare janë të gatshme të pranojnë anëtarë të rinj në klub. Në mënyrë tipike, vendet e BE-së i shprehin ankesat e tyre para se të përfundojnë negociatat e pranimit.

Mosmarrëveshjet e gjata të Maqedonisë së Veriut, së pari me Greqinë për emrin e saj dhe më vonë me Bullgarinë për të drejtat e pakicave, janë ndër shembujt më të spikatur. Por, ndërsa bllokimi i pranimit të drejtpërdrejtë në fazën e ratifikimit do të ishte i paprecedentë, ai mbetet një rrezik real.

Spektri politik është zhvendosur djathtas në anëtarët themelues, si Holanda dhe Franca, duke i bërë votuesit përgjithësisht më të kujdesshëm ndaj zgjerimit.

Siç i ka thënë Euronewsit kreu i misionit të Malit të Zi në BE, Petar Markoviq, një nga arsyet kryesore pse vendi i tij është i gatshëm të pranojë mbrojtje shtesë mbi sundimin e ligjit dhe ngecjen demokratike është pikërisht për ta zbutur procesin e ratifikimit. Franca është pikëpyetja më e madhe.

Në vitin 2005, Parisi prezantoi një amendament kushtetues që kërkonte që çdo traktat i ri pranimi të nxirret në referendum kombëtar, ose të miratohet me një shumicë prej tre të pestash në një seancë të përbashkët të parlamentit. Edhe një herë, Mali i Zi do të jetë prova e madhe.

Ratifikimi i tij mund të përfundojë duke e lidhur me kandidaturën e Shqipërisë, megjithatë, varësisht të ritmit të përparimit të Tiranës, ose me atë të Islandës, varësisht të rezultatit të referendumit.

“Nëse Mali i Zi nuk mund ta bëjë, atëherë sigurisht që kjo e prish procesin shumë seriozisht”, tha për Euronews Florian Bieber, koordinator i Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Europë. “Duhet të ketë një plan shumë të qartë emergjence për t’u përballur me këtë skenar”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo