Shpërndaje në: Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se partia në pushtet e cila është edhe fituese e zgjedhjeve, do të duhej të niste bisedimet me partitë e tjera politike për çështjen e presidentit. Megjithatë sipas Dakës, duket se gazi amerikan për të cilin Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kosova nuk ka nevojë, do të jetë pika kyçe e dialogut mes partive për çështjen e presidentit. “Ne kemi dëgjuar që pothuajse të tri partitë i kanë disa vija të kuqe dhe ai është gazi amerikan që këto ditë vazhdimisht po përsëritet dhe i cili si duket do të jetë ajo pika kyçe e dialogut për pozitën e presidentit. Të tri partitë opozitare kanë deklaruar qartazi se nuk mund ta tejkalojnë qasjen e kryeministrit që në njëfarë mënyre ka thënë se nuk ka nevojitet gazi amerikan dhe kjo do të jetë ajo pika që nuk do të mund të kalohet. Mbetet që kryeministrit të na tregojë qartazi pse gazi amerikan nuk bën për Kosovën përderisa bën për të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Daka. Daka në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë gjithashtu se dalja e ulët në votime do të duhej ishte alarm për subjektet politike. Teksa rezultati ka ndryshuar për pothuajse të gjitha partitë, Daka ka thënë se ky ishte i pritur ndërsa ai i 28 dhjetorit nuk ishte real për shkak të numrit të madh të votuesve të diasporës që gjendeshin në Kosovë. “Ka qenë e pritur. Rezultati i 28 dhjetorit të themi ashtu, nuk ka qenë real. Kemi pasur një numër jashtëzakonisht të madh të votuesve të cilët kanë ardhur nga diaspora, e të cilët e kanë lëvizur votën reale të partisë në pushtet. Partitë e tjera kanë pak a shumë ngritje që tregon se ato vota që kanë ardhur nga diaspora për partinë në pushtet tashmë nuk janë dhe natyrisht se rritet numri i votave për partitë opozitare”, ka deklaruar Daka. Sa i përket konstituimit të institucioneve, Daka ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh renditje porse logjikisht, pas konstituimit të Kuvendit, fillimisht do të duhej të zgjidhej presidenti. “Fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi. Të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët dhe pastaj të shkojmë me renditje ashtu siç parashihet. Kushtetuta nuk është se ka ndonjë dispozitë të caktuar se si duhet të jetë kjo renditje mirëpo renditja logjike do të duhej të ishte që së pari të zgjidhet presidenti sepse ne tashmë kemi një ushtruese detyre e cila shumë shpejt do ta humbë këtë legjitimitet. Së shpejti do të kemi Kuvend të ri dhe ajo nuk dihet a do të jetë kryeparlamentare dhe ushtruese detyre e presidentes”, është shprehur Daka. Legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës, u shpërnda në prill të këtij viti pasi partitë politike nuk arritën të bien dakord për çështjen e presidentit, kësisoj vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat u mbajtën më 7 qershor. Partive politike në vazhdimësi iu është bërë thirrje edhe nga partnerët ndërkombëtarë që të gjindet një marrëveshje për pozitën e presidentit dhe Kosova të ketë institucione të qëndrueshme. Me zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, vendi iu nënshtrua tri palë zgjedhjeve në 16 muaj, pa përfshirë ato lokale.
