Qytetarët e Dragashit kanë ngritur shqetësime për grumbullimin e mbeturinave, duke kritikuar rritjen e tarifës për këtë shërbim dhe, sipas tyre, mungesën e përmirësimit të cilësisë së tij. Përmes një ankese të bërë publike, qytetarët kanë thënë se rritja e çmimit është bërë rreth një muaj më parë, ndërsa shërbimi, sipas tyre, vazhdon të ketë probleme.
“Çmimi u rrit, shërbimi mungon!”, thuhet në ankesën e qytetarëve, raporton Telegrafi. Sipas tyre, aktualisht ka raste kur mbeturinat nuk grumbullohen në kohë, duke krijuar shqetësime për qytetarët dhe ambientin. “Para vetëm një muaji, ekzekutivi komunal e rriti çmimin për mbledhjen e mbeturinave.
Sot, qytetarët përballen me mbeturina të pa grumbulluara dhe një shërbim që nuk po kryhet siç duhet”, thuhet më tej në reagim. Qytetarët kërkojnë që rritja e tarifës të shoqërohet me përmirësim të shërbimit të ofruar. “Kur rritet çmimi, duhet të rritet edhe cilësia e shërbimit – jo vetëm barra mbi qytetarin”, kanë deklaruar ata.
Deri në publikimin e këtij raportimi, nuk është dhënë një qëndrim nga Komuna e Dragashit lidhur me ankesat e qytetarëve. / Telegrafi
