Një shtetas i Kosovës është arrestuar në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Spiunazh”. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, arrestimi është bërë me urdhër të saj nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
I dyshuari, me inicialet F.S., është arrestuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin në Facebook.
