PDK tha se LVV po e shantazhon administratën e Kuvendit, reagon

0%

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës sot kanë shprehur shqetësim lidhur me komunikatën e publikuar mbrëmë nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës, ku sipas PDK-së thuhet se deputetët e opozitës ndërprenë aktivitetet e parapara me të rinjtë dhe mërgatën duke u futur në sallën plenare, që në fakt është vendi i punës së të gjithë deputetëve.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cilësoi si skandaloze komunikatën, duke thënë se Kuvendi nuk i takon asnjë partie politike. “Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike, e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit.

Pra komunikata në fjalë thotë, po e citoj, ‘Në ditën e tretë, vizita e sallës plenare është ndërprerë për disa minuta pasi deputetë të PDK-së dhe të AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë’”, tha ajo. Deliu-Kodra tha se do të kërkojë sqarime nga sekretarja e Kuvendit, duke theksuar se administrata duhet të jetë neutrale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Dua të ndaj me ju këtë shqetësim sepse ky vend, Kuvendi i Republikës nuk është i një partie politike. Kuvendi i Republikës i takon të gjithë deputetëve të zgjedhur të parlamentit, të cilët janë betuar në këtë parlament. Dhe nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit.

Prandaj, për këtë do të takohemi me sekretaren bashkë me dy kolegët e mi, sepse nuk guxon që ky institucion kaq i rëndësishëm të merret peng nga vullneti dhe nënshtrimi që provon ta bëjë një parti politike”, tha ajo. Deputetët e PDK-së njoftuan se kanë dërguar edhe ankesë zyrtare në Sekretarinë e Kuvendit lidhur me përmbajtjen e komunikatës në fjalë.

E lidhur me këtë ka reaguar sot Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo thekson se mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike. “Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale.

Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, tha ajo.

Tutje Haxhiu theksoi se stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë. “Këtë sjellje e dënoj publikisht dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendi”.

Burimi: Telegrafi