Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kontroll të plotë mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit dhe la të kuptohet se Uashingtoni synon ta ruajë këtë kontroll. Në një deklaratë, Trump e përshkroi bllokadën detare amerikane si “një mur çeliku”, duke pretenduar se Irani nuk ka kapacitet për ta sfiduar atë.
Trump tha se Irani nuk ka më një marinë dhe forcë ajrore funksionale, ndërsa pretendoi se forcat e mbetura ushtarake nuk po paguhen dhe se Garda Revolucionare Islamike (IRGC) është dobësuar rëndë. Ai e përshkroi gjithashtu udhëheqjen iraniane si të pasigurt dhe tha se vendi po përballet me mungesë të madhe të parave dhe me një ekonomi të goditur rëndë.
Sipas Trump, Irani tashmë është “vetëm fjalë dhe pa veprime”, duke shtuar se vendi nuk përbën më kërcënimin që dikur përbënte në Lindjen e Mesme. “Irani vetëm flet dhe nuk vepron më; nuk është më ngacmuesi i Lindjes së Mesme. Lavdi Allahut!”, tha 80-vjeçari.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë tensionesh të larta rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Kontrolli ose bllokimi i saj mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet globale të energjisë.
