Lionel Messi shkruan histori – bëhet lojtari i parë që luan në gjashtë Kampionate Botërore

0%

Ndeshja mes Argjentinës dhe Algjerisë në Kupën e Botës FIFA 2026 ka nisur, me Lionel Messin që ka hyrë sërish në histori të futbollit botëror. Kapiteni argjentinas është bërë futbollisti i parë që merr pjesë në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës për meshkuj, duke vendosur një rekord të ri në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Ky moment historik vjen saktësisht 20 vjet pas debutimit të Messit në Kupën e Botës në vitin 2006, kur ai u aktivizua nga banka rezervë në ndeshjen ndaj Serbi-Malit të Zi dhe arriti të shënojë në fitoren 6-0 të Argjentinës. Gjatë karrierës së tij në Botëror, Messi ka kaluar momente historike, duke qëndruar i pamposhtur në shtatë ndeshjet e para dhe duke pësuar humbjen e parë në çerekfinalen e vitit 2010 ndaj Gjermanisë. Aktualisht, ai vjen në këtë turne pas triumfit në Kupën e Botës 2022 dhe një serie prej gjashtë ndeshjesh pa humbje në këtë kompeticion. Përballja ndaj Algjerisë shënon gjithashtu një tjetër arritje madhore për Messin, pasi është paraqitja e tij e 200-të me fanellën e Argjentinës. Që nga debutimi në vitin 2005 kundër Hungarisë, Messi ka regjistruar 199 ndeshje dhe 173 gola për kombëtaren, duke përfshirë 117 gola nga loja e hapur dhe 10 tregolësha. Ndeshja është duke u zhvilluar, ndërsa Messi vazhdon të jetë figura kryesore e Argjentinës në kërkim të një tjetër suksesi botëror.

Burimi: Telegrafi