Pavarësisht humbjes 4-1 ndaj Norvegjisë në ndeshjen e parë të Grupit I të Kupës së Botës, mbrëmja do të mbetet e paharrueshme për sulmuesin irakian Aymen Hussein. 30-vjeçari realizoi golin e vetëm të Irakut në këtë takim, duke hyrë në histori si autori i golit të dytë të kombëtares irakiane në Kupat e Botës. Para tij, i vetmi futbollist që kishte shënuar për Irakun në këtë garë ishte Ahmed Radhi në Botërorin e vitit 1986. Pas golit ndaj Norvegjisë, Hussein arriti kuotën e 33 golave me kombëtaren, duke u ngjitur në mesin e golashënuesve më të mirë në historinë e futbollit irakian. Megjithatë, historia e tij shkon shumë përtej futbollit. Hussein u rrit në Al Safra, një fshat pranë Kirkukut, në një periudhë të mbushur me luftë dhe dhunë. Kur ishte vetëm 12 vjeç, babai i tij, i cili shërbente në ushtrinë irakiane, u vra nga militantët e Al-Kaedës teksa po blinte materiale ndërtimi për shtëpinë e familjes. Pas kësaj tragjedie, familja u përball me një tjetër goditje të rëndë. Vëllai i tij i madh u rrëmbye, sipas raportimeve, nga anëtarë të ISIS-it dhe nuk u kthye më kurrë. Shtëpia që po ndërtonte babai i tij mbeti e papërfunduar për vite me radhë. Në një intervistë për FIFA-n, Hussein kishte rrëfyer se ëndrra e tij më e madhe nuk ishte futbolli, por të fitonte mjaftueshëm para për ta përfunduar shtëpinë që kishte lënë përgjysmë i ati. Vite më vonë, ai u bë heroi që udhëhoqi Irakun drejt kualifikimit historik në Kupën e Botës, duke i dhënë vendit paraqitjen e parë në turneun më të madh të futbollit pas plot katër dekadash. Edhe pse Iraku u mposht nga Norvegjia në ndeshjen hapëse, goli i Aymen Hussein do të mbetet një moment historik për futbollin irakian dhe një tjetër kapitull frymëzues në jetën e një futbollisti që ka kaluar sprova të jashtëzakonshme jashtë fushës së blertë.
Al-Kaeda ia vrau babanë, ISIS-i ia rrëmbeu vëllanë – ai shënoi golin historik të Irakut në Kupën e Botës

Burimi:
Telegrafi