Jordan Jakshiq, të cilit iu rrënua hoteli buzë Liqenit të Ujmanit, ka kërkuar nga Gjykata e Mitrovicës caktimin e masës së sigurisë ndaj ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.
Në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën e Mitrovicës, mbrojtësi i paditësit Jordan Jakshiq, avokati Vasilije Arsiq, tha se e paditura “Ibër-Lepenc” pa asnjë bazë juridike dhe në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore të cilat e rregullojnë të drejtën e pronësisë, më , nën asistimin e Policisë së Kosovës, e ka rrënuar objektin “Jezero”.
Ai tha se Jakshiqit i është shkaktuar dëm i madh dhe i pariparueshëm në vlerë prej dy milionë eurosh. Propozuesi, së bashku me përfaqësuesin e tij, i propozuan Gjykatës ta aprovojë masën e sigurisë me të cilën ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, nga sot e tutje, t’i ndalohet çdo ndryshim i strukturës së parcelave kadastrale në Velbreg të Zubin Potokut.
“Si dhe kundërpropozuesit t’i ndalohen edhe veprimet e tjera me të cilat do ta ndryshonin situatën faktike të lëndës së kontestit”- tha më tej Arsiq.
Ai pretendon se propozuesit Jakshiq, as para e as pas rrënimit të objektit, nuk i është dorëzuar asnjë akt i karakterit ekzekutiv i cili i jep të drejtë të pengojë posedimin paditësit dhe që të njëjtit t’ia rrënojnë objektin dhe t’i bëjnë dëm.
“Për këtë, në fillim të deklarimit kam thënë se me veprimet e të paditurës është dëmtuar sistemi juridik i Kosovës dhe është bërë shkelja e principit të sigurisë së qytetarëve nga fakti i veprimeve të paligjshme të ‘Ibër- Lepencit’”- deklaroi avokati.
Nga ana tjetër, e autorizuara e kundërpropozuesit, Naxhije Sadiku, tha se kanë paraqitur përgjigje në padi, duke i bashkëngjitur të gjitha provat të cilat dëshmojnë se parcelat kontestuese në këtë rast janë pronë e të paditurës, duke filluar nga procesi i themelimit të “Ibër-Lepencit” dhe mënyra e procedurave të ushtruara lidhur me shpronësimet për ndërtimin e organit shpronësues.
“Organi shpronësues ka zhvilluar procedurën administrative lidhur me shpronësimin me pronarin legjitim që në këtë rast ishte Dimitrie Jakshiq, paraardhës i paditësve. Është diskutuar me palët lidhur me formën e shpronësimit dhe kompensimit të pronës”- theksoi Sadiku.
Madje, sipas saj, paditësi, me padinë dhe propozimin për masën e përkohshme, nuk ka dorëzuar asnjë provë të bazuar e cila tregon se të njëjtit gëzojnë ndonjë të drejtë mbi pronat në fjalë. Përkundrazi, siç theksoi ajo, dokumentacioni publik i paraqitur nga pala e paditur dëshmon se e paditura këto prona i ka fituar nëpërmjet procedurave të rregullta, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Deklarimin e paditësit se e paditura ia ka rrënuar objektin, duke i shkaktuar dëm, Sadiku e quajti të paqëndrueshëm, sepse, siç tha ajo, “Ibër-Lepenci” nuk është organ kompetent për rrënimin apo largimin e objekteve të saj nga prona e saj.
“Roli i ‘Ibër-Lepencit’ në këtë rast ka qenë që në cilësinë e pronarit legjitim t’u drejtohet organeve kompetente për ndërmarrjen e veprimeve në kuadër të kompetencave ligjore me qëllim të mbrojtes dhe lirimit të pronës së saj. Këtë e dëshmon që Inspektorati i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë verifikimin e gjendjes në terren”- theksoi avokatja.
Ajo potencoi se ndërmarrja publike “Ibër-Lepenc” lirimin e pronës e ka kërkuar nga vetë paditësi dhe njëkohësisht e ka njoftuar edhe Inspektoratin në kuadër të MMPHI-së dhe Policinë e Kosovës.
Përfaqësuesi i paditësit, Vasilije Arsiq, i propozoi Gjykatës të bëhet këqyrja në vendin e ngjarjes me ekspertin gjeodet, të dëgjohet propozuesi Jordan Jakshiq, të dëgjohet kryeshefi i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, të dëgjohet drejtori i Policisë së Kosovës, si dhe ministrja e MMPHI-së.
Në anën tjetër, përfaqësuesja Naxhije Sadiku e kundërshtoi propozimin për dalje në vendin e ngjarjes, pasi, sipas saj, paditësi nuk ka bazë ligjore për dalje në një pronë të huaj. Edhe dëgjimi i personave të lartcekur, sipas saj, nuk është relevant.
Pas këtyre deklarimeve, gjyqtari Blerim Istrefi aprovoi propozimin e të autorizuarit të palës paditëse për dalje në vendin e ngjarjes, së bashku me eksperten gjeodete, si dhe për dëgjimin e paditësit dhe kryeshefit.
Kurse, sa i përket propozimit për dëgjimin e ministres, gjyqtari tha fillimisht do të kërkojë informata nga e njëjta ministre në rolin e saj rreth rrënimit të objektit, pastaj do të vlerësojë nëse është e nevojshme të dëgjohet. Edhe propozimi për dëgjimin e Policisë u refuzua, mirëpo gjyqtari theksoi se edhe nga ky institucion do të kërkohen informata rreth rrënimit të objektit kontestues.
Nesër, më , do të bëhet këqyrja në vendin e ngjarjes në orën . Detyra e ekspertes, sipas gjyqtarit, është të bëjë identifikimin, matjet, masat dhe kufijtë e parcelave të cilat janë objekt i kontestit, si dhe të sigurojë historikun e parcelave kontestuese.
Policia e Kosovës kishte konfirmuar për KALLXO.com se asnjë incident, rezistencë apo problem nuk ishte shënuar gjatë aksionit për rrënimin e hotelit “Jezero” pranë Liqenit të Ujmanit.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, kishte njoftuar se më kishte vazhduar aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronat publike përreth Liqenit të Ujmanit, duke bërë të ditur se deri më tani janë rrënuar 17 objekte.
Sipas ministres Pacolli, aksioni në Ujman po zhvillohet për të rikthyer nën administrimin e “Ibër-Lepencit” pronat publike të uzurpuara në pjesën veriore të Kosovës.
