“Nuk e ofendova, nuk e ndërpreva” – Qorrolli flet pas përballjes me

0%

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka reaguar pas një videoje të publikuar në rrjete sociale, ku shihet duke u përballur me një qytetare gjatë ditëve të hapura për mërgimtarët në Kuvend. Qorrolli, përmes një postimi në Facebook, ka pretenduar se përballja nuk ka qenë spontane, por një skenë e përgatitur për të prodhuar atë që ai e cilëson si “skandal”.

Sipas tij, qytetarja, e cila ishte në moshë të shtyrë dhe shoqërohej nga një person me telefon në dorë, i ishte afruar me një varg provokimesh. Qorrolli ka thënë se gjatë përballjes ka zgjedhur të mos reagojë me të njëjtën gjuhë dhe se e ka lënë qytetaren të flasë pa e ndërprerë. Postim i plotë: Turp nuk është qetësia ime.

Turp është ajo që bëtë për ta prodhuar një “skandal” aty ku nuk ekzistonte. Sot, në ditët e hapura për mërgimtarët në Kuvend, pas tri ditësh rresht mes bashkatdhetarëve, një zonjë në moshë gati 80-vjeçare, e shoqëruar nga një djalë me smartphone në dorë, më është afruar dhe më ka bërë një varg provokimesh të porositura. Nuk ishte një përballje spontane.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ishte një skenë e menduar për kamera. Dhe kujdesi me të cilin është bërë më pas titrimi, transkriptimi dhe paketimi i videos e bën edhe më të qartë se çfarë synohej të prodhohej. Dhe kush e mori përsipër ta paketojë këtë “skandal”? Përsëri Nacionale dhe Vox Kosova, dy portale që prej një kohe të gjatë e kanë kthyer personin tim në objektiv të një fushate të vazhdueshme.

Unë nuk rashë në kurthin tuaj. E lashë zonjën të fliste. Panderprerë. Nuk e ofendova. Nuk e ndërpreva. Nuk e poshtërova. Nuk ia ktheva mllefin me mllef. Thjesht e lashë ta thoshte atë që kishte ardhur ta thoshte. Dhe këtë e quajtët “turpërim timin”. Jo. Turpi është i juaji.

Sepse duhet të jesh vërtet në pikën më të ulët të gazetarisë politike që të përdorësh një grua në moshën e gjyshes si mjet provokimi, ta vendosësh përballë një deputeti, ta filmosh fshehurazi ose në mënyrë të kamufluar si “reagim qytetar”, pastaj ta titrosh, ta transkriptosh, ta presësh dhe ta paketosh si armë politike. Kjo nuk është gazetari. Është fabrikë propagande.

Dhe mos e fyeni publikun duke pretenduar se ishte spontane. Spontane mund të jetë zemërimi i një qytetari. Por kur dikush vjen me telefonin gati, kur provokimi bëhet para kamerës dhe kur materiali pastaj del i përpunuar deri në detajin e fundit, atëherë kemi të bëjmë me diçka krejt tjetër. Ju desh një zonjë gati 80-vjeçare për të provokuar një deputet.

Mua më mjaftoi qetësia për t’ju prishur gjithë skenarin. Kjo është pjesa që nuk ju doli. Prandaj, herën tjetër, mos kërkoni “skandal” te qetësia ime. Kërkojeni te mënyra se si e keni ndërtuar skenarin. Nacionale. Vox Kosova. Mund ta titroni edhe njëqind herë. Mund ta prisni edhe njëqind herë. Por nuk mund ta ndryshoni atë që ka ndodhur para kamerës. Videon e plotë le ta shohë publiku.

Pastaj le të përgjigjet secili për veten: kush u turpërua sot, ai që nuk u provokua, apo ata që e përdorën një zonjë të moshuar për të prodhuar një “skandal” politik? Për mua përgjigjja është e qartë: Turp. Marre. Mjerim.

Burimi: Bota Sot