Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, pas një përleshjeje në rrugën “12 Qershori”, ku një person dyshohet se u godit tri herë me kaçavidë në qafë. Të pandehurit O.A., D.A., A.A. dhe A.N. dyshohen për veprat penale “Vrasja në tentativë”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më , rreth orës , në afërsi të kafiterive “Dritare” dhe “0290” në Ferizaj. Për të pandehurin O.A. ekziston dyshimi i bazuar se, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes pronarëve të kafiterive, fillimisht e ka ofenduar të dëmtuarin Sh.A., ndërsa më pas ka nisur përleshja.
Prokuroria pretendon se O.A. e ka goditur Sh.A. tri herë me një mjet të mprehtë – kaçavidë, në pjesën e qafës. I dëmtuari fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa më pas është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Për këtë rast, O.A. dyshohet për veprën penale “Vrasja në tentativë”.
I njëjti dyshohet se gjatë përleshjes i ka shkaktuar lëndime edhe A.N., duke e goditur me kaçavidë në krahun e majtë dhe në pjesën e majtë të kokës. A.N. ka kërkuar trajtim në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa Prokuroria e ngarkon O.A. edhe me veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”. Ndërkohë, D.A., A.A. dhe A.N. dyshohen për “Pjesëmarrje në rrahje”.
“Pas një mosmarrëveshje të mëhershme, të pandehurit involvohen në përleshje, duke sulmuar fizikisht njërin-tjetrin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Sipas organit të akuzës, përleshja ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të Sh.A. Katër të pandehurit ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh që nga 11 gushti, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka kërkuar Gjykatës Themelore caktimin e paraburgimit ndaj tyre.
