Serbia po sinjalizon një afrim edhe më të madh politik me Kinën, në një kohë kur Beogradi po përpiqet të ruajë ekuilibrat mes Pekinit, Moskës dhe Perëndimit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar këtë mëngjes me ambasadorin e Kinës në Beograd, Li Ming, të cilin ka biseduar edhe për Kosovën, shkruan Danas, transmeton KosovaPress.
Takimi me ambasadorin kinez vjen pas vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Beograd, më 8 gusht. Ai edhe në këtë takim ka vazhduar narrativën e Beogradit zyrtar kundër Kosovës.
“E njoftova ambasadorin Ming edhe me zhvillimet e fundit shqetësuese në Kosovë dhe e falënderova edhe një herë Kinën për qëndrimin e saj të palëkundur dhe parimor lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë “, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka thënë se i ka kërkuar ambasadorit kinez t’ia përcjellë përshëndetjet presidentit Xi Jinping, duke vlerësuar angazhimin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“I kërkova ambasadorit Ming t’i përcjellë përshëndetjet e mia më të përzemërta presidentit Xi Jinping dhe ritheksova se forcë të veçantë marrëdhënieve tona u jep angazhimi i tij personal në ndërtimin e miqësisë të çeliktë dhe afërsisë mes vendeve dhe popujve tanë“, shtoi ai.
Vuçiq e ka cilësuar bisedën me ambasadorin Li Ming si të përzemërt dhe miqësore, duke thënë se është diskutuar për iniciativa dhe projekte të reja që do t’i afrojnë edhe më shumë dy vendet. Ai ka falënderuar gjithashtu kompanitë kineze dhe punëtorët e tyre për kontributin në përgatitjet për EXPO 2027, që do të mbahet në Beograd.
Kujtojmë se Vuçiq në takimin me ambasadroin kinez e ka quajtur “shqetësuese situatën në Kosovë” ndërkohë që së fundmi në Komunën e Zubin Potokut janë gjetur varreza me mbetje mortore njerëzish derisa dyshohet për varrezë masive.
Serbia madje lidhur me këtë zhvillim ka arrestuar një serb të Kosovës, të cilin e kanë akuzuar për “shpiunazh”, duke aluduar se ka bashkëpunuar me institucionet e Kosovës për gjetjen e trupave të 23 intelektualëve të zhdukur nga Mitrovica më 1998, e që dyshohet të jenë varrosur në Zubin Potok.
Në të njëjtën kohë, Vuçiq ka paralajmëruar vazhdimisht mundësinë e largimit nga posti i presidentit dhe ka thënë se më pas, si qytetar i zakonshëm, mund të udhëheqë listën e SNS-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
