Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rëndësinë e shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 12 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se aktivitetet nisën me programin “Zëri yt, e ardhmja jonë”, para Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, ndërsa më pas vazhduan në Zyrën e Kryeministrit, ku u lansua raporti “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”.
Ai ka theksuar se shëndeti mendor nuk duhet të shihet si përgjegjësi vetëm e një ministrie apo sektori, por si përgjegjësi e gjithë shoqërisë. “Shëndeti mendor nuk është përgjegjësi vetëm e një ministrie, e as e vetëm një sektori, por e gjithë shoqërisë pa dallim” , ka shkruar Kurti.
Sipas tij, investimi në mirëqenien emocionale të fëmijëve është i domosdoshëm për ndërtimin e kapitalit njerëzor. “Nuk mund të ndërtojmë kapital të fortë njerëzor pa investuar në mirëqenien emocionale të fëmijëve” , ka theksuar ai.
Kurti ka thënë se shoqëria nuk mund t’u kërkojë të rinjve të mësojnë, të krijojnë, të punojnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes, nëse nuk u siguron mjedisin dhe mbështetjen e nevojshme. Ai ka vlerësuar se të rinjtë dhe të rejat, përveçse janë e ardhmja e Republikës, janë edhe pjesë e rëndësishme e së tashmes.
“Mbështetje, qasje e barabartë dhe arsim cilësor, sikurse edhe hapësira e aktivitete kulturore e sportive, është udhërrëfyesi i qeverisjes sonë me rininë në qendër”, ka shkruar Kurti.
