Humbja e rëndë 0-3 e Milanit ndaj Chelsea-t në një ndeshje parasezonale nuk e ka alarmuar Roberto Donadonin. Ish-futbollisti i njohur i “rossonerëve” beson se rezultatet e verës nuk duhen mbivlerësuar dhe shpreh besim të plotë te trajneri Ruben Amorim.
I pyetur nga “Gazzetta dello Sport” nëse Amorim është zgjedhja e duhur për stolin e Milanit, Donadoni ishte i qartë në përgjigjen e tij: trajnerit portugez duhet t’i jepet kohë për të zbatuar idetë e tij. “Është një trajner i ri që ka nevojë për kohë për të punuar”, deklaroi ish-ndërkombëtari italian.
Donadoni u pajtua edhe me vlerësimin e Amorimit pas humbjes ndaj Chelseat, kur portugezi theksoi se ai Milan nuk ishte versioni i vërtetë i skuadrës. “Edhe unë shpresoj që të jetë kështu dhe jam i bindur për këtë, sepse ndaj Interit nuk luajtën keq”, tha ai. Ish-lojtari i Milanit foli edhe për afrimet e reja në skuadër, duke veçuar Mario Gila dhe Gonçalo Ramos.
Sipas tij, të dy mund t’i japin një tjetër energji ekipit, megjithëse është ende herët për të bërë një vlerësim përfundimtar të merkatos. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Rafael Leãos. Sulmuesi portugez vazhdon të jetë pjesë e Milanit dhe Donadoni e sheh këtë si një mundësi për të dhënë përgjigjen e tij në fushë ndaj kritikave.
“Nëse nuk vjen një ofertë që kënaq lojtarin dhe klubin, qëndrimi duhet të jetë një motivim për Rafael Leãon. Ai duhet të tregojë se ata që e kanë kritikuar kanë gabuar. Por për këtë i duhet më shumë vazhdimësi se në të kaluarën. Ai ka talent. Gjithçka varet nga ai”, përfundoi Donadoni.
